Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Qytetarët në disa vende të Ballkanit Perëndimor ftohen t’i bojkotojnë supermarketet

2025/01/31 at 9:44 AM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
Qytetarët në disa vende të Ballkanit Perëndimor ftohen t’i bojkotojnë supermarketet

Të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor u ftuan t’i bojkotojnë më 31 Janar blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.


Nisma u ndërmor fillimisht në Kroaci, më 24 Janar, dhe rezultoi me rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin.

Pas thirrjes së përfaqësuesve të konsumatorëve, kroatët nisën më 30 Janar edhe një aksion të ngjashëm, por që do të zgjasë një javë.

Në shënjestër të bojkotimit janë disa zinxhirë të mëdhenj tregtarë, për shkak të dyshimeve se çmimet e tyre nuk përputhen me ato në vendet e tjera të BE-së.

Thirrje për bojkotime të ngjashme, kryesisht nëpër mediat sociale, u bënë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Përgjigje pozitive ato morën në Serbi, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni.

Në Kosovë dhe në Shqipëri nuk pritet ndonjë aksion i organizuar.

Kjo, edhe përkundër faktit se çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë shkuar duke u rritur, viteve të fundit.

Maqedoni e Veriut: Çmimet janë shumë të larta

Në Maqedoninë e Veriut, Sasho Ristoski thotë se rritja e çmimeve po rëndon jetesën, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

“Po, po, kam dëgjuar për bojkotimin dhe do ta mbështes, sepse çmimet janë shumë të larta. Me këto çmime që kanë vënë marketet, nuk mund të mbijetosh”, thotë ky banor i Shkupit për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, produktet bazë, të cilat kërkohen më shumë, janë ndër më të shtrenjtat.

“Thuajse të gjitha produktet e mishit, qumështi, vaji, sheqeri… Ne me të ardhura më të ulëta, mezi arrijmë ta përballojmë muajin”, shton pensionisti.

“Do t’i bojkotoj marketet nëse nuk kam para, por nëse më duhet bukë, do të shkoj ta blej”, thotë Lile Silanovska, po ashtu nga Shkupi.

Sipas analizave të Rrjetit të Biznesit, shtatë zinxhirët më të mëdhenj të tregut në Maqedoninë e Veriut gjeneruan të ardhura prej 930 milionë eurosh gjatë vitit 2023.

Në krye të listës është Vero, i cili regjistroi fitime mbi 10 milionë euro – një rritje prej gati 13% krahasuar me vitin paraprak. Në vend të dytë u rendit Kam Market me fitime neto prej 7.3 milionë eurosh. Në mesin e kompanive më fitimprurëse është edhe Kipper, me 5.5 milionë euro fitim, i ndjekur nga Stokomak me një fitim prej 4 milionë eurosh.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëroi më 29 janar kontrolle të rrepta dhe sanksione për supermarketet që shkelin Ligjin për çmimet e produkteve.

“Gjatë konferencës për shtyp u përmendën dy zinxhirë marketesh, që mund të luajnë lojëra me ligjet dhe procedurat. Ata do t’i nënshtrohen një kontrolli rigoroz”, tha Mickoski.

Autoritetet, gjithashtu, shprehën mbështetje për bojkotimin e dyqaneve të mëdha, duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë të pakënaqësisë së qytetarëve me situatën ekonomike në vend.

“Ne i mbështesim qytetarët në bojkotim, mbi të gjitha të tregjeve që, viteve të fundit, kanë rritur jashtëzakonisht çmimet e produkteve pa asnjë logjikë ekonomike”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.

“Ne, si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, kemi miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve, duke ngrirë marzhën e produkteve ushqimore bazë, në mënyrë që të mos çojë në rritje enorme të çmimeve”, shtoi ai.

Por, me këtë nuk pajtohet një qytetar i Tetovës.

“Qeveria të përkrahë bojkotime të bizneseve, është skandal. Ajo duhet të marrë masa, duhet të japë subvencione – nëse ka nevojë – për qytetarët. Rrogat duhet të rriten, standardi duhet të rritet, normalisht që ka inflacion edhe në Maqedoninë e Veriut. Bojkotimi nuk është zgjidhje. Absolutisht, nuk jam për bojkotim të bizneseve, ato kanë punëtorë, punëtorët kanë familje”, thotë një 32-vjeçar, i cili nuk do të identifikohet me emër e mbiemër.

Në Maqedoninë e Veriut ekziston Ligji për praktika të padrejta tregtare, i cili hyri në fuqi më 28 shtator të vitit të kaluar, kur edhe ishte afati i fundit që tregtarët t’i harmonizonin kontratat e furnizimit ndërmjet furnizuesve dhe prodhuesve. Shpenzimet për rabat dhe shpenzimet tjera të marketingut janë kufizuar në 10%, ndërsa, sipas praktikës së deriatëhershme, ato kanë qenë nga 20% deri në 35%.

Ministria e Ekonomisë dhe Punës thotë se një gjë e tillë, në mënyrë indirekte, i ka rritur çmimet e shitjes me pakicë të produkteve.

Rabati, i cili është diferenca midis çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes të përcaktuar nga prodhuesi, ka për qëllim t’i mbrojë prodhuesit nga rritja e pakontrolluar e çmimeve nga tregtarët.

Në rastet kur çmimi me pakicë shënohet në ambalazhin e produktit, tregtarët nuk duhet ta rrisin atë.

Megjithatë, praktika tregon ndryshe. Për shkak të pozitës më të dobët të prodhuesve për të reaguar, tregtarët, përveç rabatit, vendosin edhe marzhë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet, gjatë viteve të fundit, janë luhatur për shkak të pandemisë COVID-19 dhe luftës në Ukrainë.

Ai vëren se këta faktorë kanë bërë një diferencë të madhe në treg, duke krijuar terren edhe për “abuzime me çmimet”.

“Sigurisht, ka kompani që kanë vepruar në mënyrë korrekte. Por, ende nuk mund të thuhet se tregu i çmimeve është stabil, ndaj është e nevojshme të merren masa adekuate për rregullimin e tyre, veçanërisht për produktet bazë të përditshme”, thotë Qyra.

Ai thekson nevojën për masa të mëtejshme për rregullimin e tregut dhe balancimin e çmimeve të produkteve bazë.

“Kjo është një çështje me të cilën duhet të merren institucionet, pasi masat tona janë vullnetare dhe nuk kemi mekanizma për t’i detyruar anëtarët, marketet apo distributorët që t’i mbajnë çmimet reale. Megjithatë, me një dakordim të përbashkët, mund të arrijmë një balancë më të drejtë”, përfundon Qyra.

Me bojkotim kërkojnë ulje çmimesh edhe në Mal të Zi

Shumë qytetarë, organizata joqeveritare dhe të punës në Mal të Zi bënë thirrje për bojkotimin e rrjeteve të mëdha tregtare, më 31 janar, për shkak të, siç thanë, çmimeve jashtëzakonisht të larta të ushqimeve bazë.

“Mos blini asgjë atë ditë, në mënyrë që së bashku t’u dërgojmë një mesazh të fortë tregtarëve”, thuhet në një nga iniciativat, që u shpërnda në mediat sociale në fillim të kësaj jave.

Ndër të parët që mbështetën këtë aksion në Mal të Zi, ishte kryeministri Millojko Spajiq.

Zëvendëskryeministri për ekonominë, Nik Gjeloshaj, sugjeroi që bojkotimi të mos i përfshijë prodhuesit vendas.

Aksioni u kundërshtua nga Dhoma e Tregtisë, anëtarë të së cilës janë pronarë të zinxhirëve të dyqaneve, ndërsa nga zinxhirët e mëdhenj nuk komentuan.

Në Mal të Zi, inflacioni nga viti 2021 deri në vitin 2024 ishte 30.5 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën deri në 41 për qind, sipas të dhënave nga Enti i Statistikave në këtë vend.

Në anën tjetër, zinxhirët tregtarë, gjykuar nga deklaratat tatimore, shënuan rritje prej 40 deri në 50 për qind të qarkullimit në vitin 2023, krahasuar me vitin 2021.

Shumica e qytetarëve me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Podgoricë, thonë se çmimet aktuale janë të papërballueshme.

Edhe pse është dakord me bojkotimin, Ana nuk është e sigurt se vetëm një protestë do të sjellë rezultat të dëshiruar.

“Është bërë situatë e papërballueshme. Bojkotimi mund të jetë hapi i parë, por vetëm protestat e shpeshta mund të kenë ndikim të vërtetë”, sipas saj.

Bojani është një nga ata që nuk do të marrë pjesë në aksion, për faktin se, siç thotë, ai është mbështetur nga kryeministri.

“Ai [Spajiç] po e pranon se shteti është i pafuqishëm. Nuk besoj në asgjë që thotë kryeministri”, thotë Bojani.

Kryeministri Spajiq tha se i kupton qytetarët që do t’i bojkotojnë blerjet.

“Një shtet është i fuqishëm aq sa qytetarët e tij janë të lirë dhe të fuqishëm”, shkroi Spajiç në rrjetin X.

Mesa duket, Spajiq nuk e kupton se ai është kryeministër dhe se është përgjegjësia e tij për të zgjidhur problemin e inflacionit, tha në anën tjetër Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë.

“Këtë nuk mund ta arrini me bojkotim populist, por me politikë serioze ekonomike”, tha DPS-ja.

Një ditë para bojkotimit, Qeveria e Spajiqit mori vendim për të vazhduar fushatën “Çmime të kufizuara”, e cila parasheh fiksimin e çmimeve të produkteve të caktuara – çfarë do të thotë se tregtarët nuk mund t’i rrisin ato.

Por, Unioni i Sindikatave të Lira në Mal të Zi konsideron se kufijtë e çmimeve nuk janë të mjaftueshëm, ndaj u bëri thirrje anëtarëve të tij që të marrin pjesë në bojkotim, më 31 janar.

Edhe në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Slloveni…

Pas aksionit të suksesshëm në Kroaci, edhe në Bosnje e Hercegovinë janë shpërndarë thirrje nëpër rrjetet sociale për bojkotimin e dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve, më 31 janar.

“Kjo është një mënyrë për të treguar pakënaqësinë tonë me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, ndërkohë që pagat e qytetarëve mbeten të ulëta”, thuhet në një nga mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale.

Thirrje të ngjashme për bojkotin e supermarketeve më 31 janar u bënë edhe në Serbi.

Në Slloveni, ndërkaq, është duke u zhvilluar bojkotimi i blerjeve në disa qendra tregtare dhe supermarkete.

Aksioni raportohet se do të zgjasë deri më 2 shkurt./REL



Ju sugjerojmë

Ra nga shkëmbi në ujërat e lumit Mat, gjendet trupi i pajetë i 39-vjeçarit në Klos
Kronikë

Ra nga shkëmbi në ujërat e lumit Mat, gjendet trupi i pajetë i 39-vjeçarit në Klos

13 Korrik, 2026 12:37 pm
“Gati për votimin elektronik”, Gjiknuri: Komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit
Politikë

“Gati për votimin elektronik”, Gjiknuri: Komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit

13 Korrik, 2026 11:22 am
4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen
Kryesore

4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen

13 Korrik, 2026 11:18 am
Irani: Marina iraniane detyroi anijet amerikane të largoheshin nga Gjiri i Omanit
Bota

Sulmet amerikane, Irani: Ngushtica e Hormuzit është territori ynë

13 Korrik, 2026 10:53 am
Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarin, deputeti: Censurë
Kryesore

Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarin, deputeti: Censurë

13 Korrik, 2026 10:38 am
Rritet çmimi i naftës në bursa, një fuçi 103 dollarë
Bota

Sulmet SHBA-Iran, rritet çmimi i naftës

13 Korrik, 2026 10:16 am
Vala rekord e të nxehtit shkaktoi mbi 10 mijë vdekje shtesë në Europë
Bota

Vala rekord e të nxehtit shkaktoi mbi 10 mijë vdekje shtesë në Europë

13 Korrik, 2026 9:55 am
Rama në Forumin Ekonomik të Delfit: Nuk kemi qenë kurrë me afër BE-së
Kryesore

Samiti i Koalicionit të Vullnetarëve për Ukrainën, Rama niset drejt Parisit

13 Korrik, 2026 9:44 am
SHBA godet dhjetëra objektiva ushtarake iraniane në natën e dytë të sulmeve
Bota

SHBA godet dhjetëra objektiva ushtarake iraniane në natën e dytë të sulmeve

13 Korrik, 2026 9:11 am
Kryeministrja ukrainase Yuliia Svyrydenko konfirmon dorëheqjen e saj
Bota

Kryeministrja ukrainase Yuliia Svyrydenko konfirmon dorëheqjen e saj

12 Korrik, 2026 10:39 pm
Para
SHBA/ Senati konfirmon Sekretarin e ri të Brendshëm, Doug Burgum

SHBA/ Senati konfirmon Sekretarin e ri të Brendshëm, Doug Burgum

Mashtruan me karburantin e materialet për shtrimin e rrugëve, 6 punonjës të Bashkisë Devoll dërgohen në gjyq

Mashtruan me karburantin e materialet për shtrimin e rrugëve, 6 punonjës të Bashkisë Devoll dërgohen në gjyq

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano shkon në SPAK

Dosja “Partizani”, vijon sot seanca paraprake
















TE FUNDIT

Ra nga shkëmbi në ujërat e lumit Mat, gjendet trupi i pajetë i 39-vjeçarit në Klos

Ra nga shkëmbi në ujërat e lumit Mat, gjendet trupi i pajetë i 39-vjeçarit në Klos
13 Korrik, 2026

Është gjetur trupi i pajetë i 39-vjeçarit Erkin Lika, i cili humbi jetën pasi ra në ujërat e lumit Mat...

Lexo më shumë

“Gati për votimin elektronik”, Gjiknuri: Komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit

“Gati për votimin elektronik”, Gjiknuri: Komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit
13 Korrik, 2026

Gjatë diskutimit për raportin e KQZ për vitin 2025, Damian Gjiknuri tha se votimi elektronik është instrument për të cilin qeveria është...

Lexo më shumë

4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen

4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen
13 Korrik, 2026

Ashtu sikurse ka paralajmëruar pak ditë më parë, grupi parlamentar i PD-së kallëzoi sot në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe...

Lexo më shumë

Sulmet amerikane, Irani: Ngushtica e Hormuzit është territori ynë

Irani: Marina iraniane detyroi anijet amerikane të largoheshin nga Gjiri i Omanit
13 Korrik, 2026

Irani ka forcuar qëndrimin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve të fundit gjatë natës. “Ngushtica e Hormuzit është...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

// Add this to functions.php or a custom plugin function custom_footer_popup_banner() {
×
}