Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Qytetarët në disa vende të Ballkanit Perëndimor ftohen t’i bojkotojnë supermarketet

2025/01/31 at 9:44 AM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
Qytetarët në disa vende të Ballkanit Perëndimor ftohen t’i bojkotojnë supermarketet

Të zemëruar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve, qytetarë të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor u ftuan t’i bojkotojnë më 31 Janar blerjet në disa dyqane të mëdha ushqimore.


Nisma u ndërmor fillimisht në Kroaci, më 24 Janar, dhe rezultoi me rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin.

Pas thirrjes së përfaqësuesve të konsumatorëve, kroatët nisën më 30 Janar edhe një aksion të ngjashëm, por që do të zgjasë një javë.

Në shënjestër të bojkotimit janë disa zinxhirë të mëdhenj tregtarë, për shkak të dyshimeve se çmimet e tyre nuk përputhen me ato në vendet e tjera të BE-së.

Thirrje për bojkotime të ngjashme, kryesisht nëpër mediat sociale, u bënë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Përgjigje pozitive ato morën në Serbi, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni.

Në Kosovë dhe në Shqipëri nuk pritet ndonjë aksion i organizuar.

Kjo, edhe përkundër faktit se çmimet e ushqimeve në Kosovë kanë shkuar duke u rritur, viteve të fundit.

Maqedoni e Veriut: Çmimet janë shumë të larta

Në Maqedoninë e Veriut, Sasho Ristoski thotë se rritja e çmimeve po rëndon jetesën, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

“Po, po, kam dëgjuar për bojkotimin dhe do ta mbështes, sepse çmimet janë shumë të larta. Me këto çmime që kanë vënë marketet, nuk mund të mbijetosh”, thotë ky banor i Shkupit për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, produktet bazë, të cilat kërkohen më shumë, janë ndër më të shtrenjtat.

“Thuajse të gjitha produktet e mishit, qumështi, vaji, sheqeri… Ne me të ardhura më të ulëta, mezi arrijmë ta përballojmë muajin”, shton pensionisti.

“Do t’i bojkotoj marketet nëse nuk kam para, por nëse më duhet bukë, do të shkoj ta blej”, thotë Lile Silanovska, po ashtu nga Shkupi.

Sipas analizave të Rrjetit të Biznesit, shtatë zinxhirët më të mëdhenj të tregut në Maqedoninë e Veriut gjeneruan të ardhura prej 930 milionë eurosh gjatë vitit 2023.

Në krye të listës është Vero, i cili regjistroi fitime mbi 10 milionë euro – një rritje prej gati 13% krahasuar me vitin paraprak. Në vend të dytë u rendit Kam Market me fitime neto prej 7.3 milionë eurosh. Në mesin e kompanive më fitimprurëse është edhe Kipper, me 5.5 milionë euro fitim, i ndjekur nga Stokomak me një fitim prej 4 milionë eurosh.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëroi më 29 janar kontrolle të rrepta dhe sanksione për supermarketet që shkelin Ligjin për çmimet e produkteve.

“Gjatë konferencës për shtyp u përmendën dy zinxhirë marketesh, që mund të luajnë lojëra me ligjet dhe procedurat. Ata do t’i nënshtrohen një kontrolli rigoroz”, tha Mickoski.

Autoritetet, gjithashtu, shprehën mbështetje për bojkotimin e dyqaneve të mëdha, duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë të pakënaqësisë së qytetarëve me situatën ekonomike në vend.

“Ne i mbështesim qytetarët në bojkotim, mbi të gjitha të tregjeve që, viteve të fundit, kanë rritur jashtëzakonisht çmimet e produkteve pa asnjë logjikë ekonomike”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.

“Ne, si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, kemi miratuar masa për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve, duke ngrirë marzhën e produkteve ushqimore bazë, në mënyrë që të mos çojë në rritje enorme të çmimeve”, shtoi ai.

Por, me këtë nuk pajtohet një qytetar i Tetovës.

“Qeveria të përkrahë bojkotime të bizneseve, është skandal. Ajo duhet të marrë masa, duhet të japë subvencione – nëse ka nevojë – për qytetarët. Rrogat duhet të rriten, standardi duhet të rritet, normalisht që ka inflacion edhe në Maqedoninë e Veriut. Bojkotimi nuk është zgjidhje. Absolutisht, nuk jam për bojkotim të bizneseve, ato kanë punëtorë, punëtorët kanë familje”, thotë një 32-vjeçar, i cili nuk do të identifikohet me emër e mbiemër.

Në Maqedoninë e Veriut ekziston Ligji për praktika të padrejta tregtare, i cili hyri në fuqi më 28 shtator të vitit të kaluar, kur edhe ishte afati i fundit që tregtarët t’i harmonizonin kontratat e furnizimit ndërmjet furnizuesve dhe prodhuesve. Shpenzimet për rabat dhe shpenzimet tjera të marketingut janë kufizuar në 10%, ndërsa, sipas praktikës së deriatëhershme, ato kanë qenë nga 20% deri në 35%.

Ministria e Ekonomisë dhe Punës thotë se një gjë e tillë, në mënyrë indirekte, i ka rritur çmimet e shitjes me pakicë të produkteve.

Rabati, i cili është diferenca midis çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes të përcaktuar nga prodhuesi, ka për qëllim t’i mbrojë prodhuesit nga rritja e pakontrolluar e çmimeve nga tregtarët.

Në rastet kur çmimi me pakicë shënohet në ambalazhin e produktit, tregtarët nuk duhet ta rrisin atë.

Megjithatë, praktika tregon ndryshe. Për shkak të pozitës më të dobët të prodhuesve për të reaguar, tregtarët, përveç rabatit, vendosin edhe marzhë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet, gjatë viteve të fundit, janë luhatur për shkak të pandemisë COVID-19 dhe luftës në Ukrainë.

Ai vëren se këta faktorë kanë bërë një diferencë të madhe në treg, duke krijuar terren edhe për “abuzime me çmimet”.

“Sigurisht, ka kompani që kanë vepruar në mënyrë korrekte. Por, ende nuk mund të thuhet se tregu i çmimeve është stabil, ndaj është e nevojshme të merren masa adekuate për rregullimin e tyre, veçanërisht për produktet bazë të përditshme”, thotë Qyra.

Ai thekson nevojën për masa të mëtejshme për rregullimin e tregut dhe balancimin e çmimeve të produkteve bazë.

“Kjo është një çështje me të cilën duhet të merren institucionet, pasi masat tona janë vullnetare dhe nuk kemi mekanizma për t’i detyruar anëtarët, marketet apo distributorët që t’i mbajnë çmimet reale. Megjithatë, me një dakordim të përbashkët, mund të arrijmë një balancë më të drejtë”, përfundon Qyra.

Me bojkotim kërkojnë ulje çmimesh edhe në Mal të Zi

Shumë qytetarë, organizata joqeveritare dhe të punës në Mal të Zi bënë thirrje për bojkotimin e rrjeteve të mëdha tregtare, më 31 janar, për shkak të, siç thanë, çmimeve jashtëzakonisht të larta të ushqimeve bazë.

“Mos blini asgjë atë ditë, në mënyrë që së bashku t’u dërgojmë një mesazh të fortë tregtarëve”, thuhet në një nga iniciativat, që u shpërnda në mediat sociale në fillim të kësaj jave.

Ndër të parët që mbështetën këtë aksion në Mal të Zi, ishte kryeministri Millojko Spajiq.

Zëvendëskryeministri për ekonominë, Nik Gjeloshaj, sugjeroi që bojkotimi të mos i përfshijë prodhuesit vendas.

Aksioni u kundërshtua nga Dhoma e Tregtisë, anëtarë të së cilës janë pronarë të zinxhirëve të dyqaneve, ndërsa nga zinxhirët e mëdhenj nuk komentuan.

Në Mal të Zi, inflacioni nga viti 2021 deri në vitin 2024 ishte 30.5 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën deri në 41 për qind, sipas të dhënave nga Enti i Statistikave në këtë vend.

Në anën tjetër, zinxhirët tregtarë, gjykuar nga deklaratat tatimore, shënuan rritje prej 40 deri në 50 për qind të qarkullimit në vitin 2023, krahasuar me vitin 2021.

Shumica e qytetarëve me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Podgoricë, thonë se çmimet aktuale janë të papërballueshme.

Edhe pse është dakord me bojkotimin, Ana nuk është e sigurt se vetëm një protestë do të sjellë rezultat të dëshiruar.

“Është bërë situatë e papërballueshme. Bojkotimi mund të jetë hapi i parë, por vetëm protestat e shpeshta mund të kenë ndikim të vërtetë”, sipas saj.

Bojani është një nga ata që nuk do të marrë pjesë në aksion, për faktin se, siç thotë, ai është mbështetur nga kryeministri.

“Ai [Spajiç] po e pranon se shteti është i pafuqishëm. Nuk besoj në asgjë që thotë kryeministri”, thotë Bojani.

Kryeministri Spajiq tha se i kupton qytetarët që do t’i bojkotojnë blerjet.

“Një shtet është i fuqishëm aq sa qytetarët e tij janë të lirë dhe të fuqishëm”, shkroi Spajiç në rrjetin X.

Mesa duket, Spajiq nuk e kupton se ai është kryeministër dhe se është përgjegjësia e tij për të zgjidhur problemin e inflacionit, tha në anën tjetër Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë.

“Këtë nuk mund ta arrini me bojkotim populist, por me politikë serioze ekonomike”, tha DPS-ja.

Një ditë para bojkotimit, Qeveria e Spajiqit mori vendim për të vazhduar fushatën “Çmime të kufizuara”, e cila parasheh fiksimin e çmimeve të produkteve të caktuara – çfarë do të thotë se tregtarët nuk mund t’i rrisin ato.

Por, Unioni i Sindikatave të Lira në Mal të Zi konsideron se kufijtë e çmimeve nuk janë të mjaftueshëm, ndaj u bëri thirrje anëtarëve të tij që të marrin pjesë në bojkotim, më 31 janar.

Edhe në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Slloveni…

Pas aksionit të suksesshëm në Kroaci, edhe në Bosnje e Hercegovinë janë shpërndarë thirrje nëpër rrjetet sociale për bojkotimin e dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve, më 31 janar.

“Kjo është një mënyrë për të treguar pakënaqësinë tonë me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, ndërkohë që pagat e qytetarëve mbeten të ulëta”, thuhet në një nga mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale.

Thirrje të ngjashme për bojkotin e supermarketeve më 31 janar u bënë edhe në Serbi.

Në Slloveni, ndërkaq, është duke u zhvilluar bojkotimi i blerjeve në disa qendra tregtare dhe supermarkete.

Aksioni raportohet se do të zgjasë deri më 2 shkurt./REL



Ju sugjerojmë

Rama për Metën: Nuk bëj boks me një njeri me duar të lidhura, është në hall
-U tha në Opinion

Rama për Metën: Nuk bëj boks me një njeri me duar të lidhura, është në hall

9 Maj, 2025 10:32 pm
Rama: Negociatat duhet të mbyllen brenda dhjetorit 2027
-U tha në Opinion

Rama: Negociatat duhet të mbyllen brenda dhjetorit 2027

9 Maj, 2025 10:31 pm
Rama: Dixhitalizimi i shërbimeve publike uli korrupsionin
-U tha në Opinion

Rama: Dixhitalizimi i shërbimeve publike uli korrupsionin

9 Maj, 2025 10:18 pm
Rama në ‘Opinion’: Projekti i inceneratorëve ishte i duhuri,por ka patur individë…
Kryesore

Rama në ‘Opinion’: Projekti i inceneratorëve ishte i duhuri,por ka patur individë…

9 Maj, 2025 9:55 pm
PD mbyll fushatën, Berisha: Kjo është betejë për ëndrrën e rinisë shqiptare!
Politikë

PD mbyll fushatën, Berisha: Kjo është betejë për ëndrrën e rinisë shqiptare!

9 Maj, 2025 9:24 pm
Rama mbyll fushatën në Tiranë: Vetëm PS mund ta bëjë edhe më mirë këtë qytet
Kryesore

Rama mbyll fushatën në Tiranë: Vetëm PS mund ta bëjë edhe më mirë këtë qytet

9 Maj, 2025 9:16 pm
Berisha thirrje të rinjve: Më 11 maj, vota është edhe për dinjitetin tuaj!
Kryesore

Berisha thirrje të rinjve: Më 11 maj, vota është edhe për dinjitetin tuaj!

9 Maj, 2025 9:11 pm
Rama në takimin e fundit me socialistët: 78 mandate janë 100% të sigurta!
Kryesore

Rama në takimin e fundit me socialistët: 78 mandate janë 100% të sigurta!

9 Maj, 2025 9:03 pm
Berisha falënderim për LaCivitën: Shkallmove Ramën duke i rënë tavolinës me grushte!
Kryesore

Berisha falënderim për LaCivitën: Shkallmove Ramën duke i rënë tavolinës me grushte!

9 Maj, 2025 8:57 pm
Tubimi i PS, Spiropali: Evropa, thirrje shpirtërore!
Politikë

Tubimi i PS, Spiropali: Evropa, thirrje shpirtërore!

9 Maj, 2025 8:51 pm
Para
SHBA/ Senati konfirmon Sekretarin e ri të Brendshëm, Doug Burgum

SHBA/ Senati konfirmon Sekretarin e ri të Brendshëm, Doug Burgum

Mashtruan me karburantin e materialet për shtrimin e rrugëve, 6 punonjës të Bashkisë Devoll dërgohen në gjyq

Mashtruan me karburantin e materialet për shtrimin e rrugëve, 6 punonjës të Bashkisë Devoll dërgohen në gjyq

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano shkon në SPAK

Dosja “Partizani”, vijon sot seanca paraprake
















TE FUNDIT

Rama për Metën: Nuk bëj boks me një njeri me duar të lidhura, është në hall

Rama për Metën: Nuk bëj boks me një njeri me duar të lidhura, është në hall
9 Maj, 2025

Kryeministri Edi Rama, ndodhet sot i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, nga ku ai duhet të...

Lexo më shumë

Rama: Negociatat duhet të mbyllen brenda dhjetorit 2027

Rama: Negociatat duhet të mbyllen brenda dhjetorit 2027
9 Maj, 2025

Pasaporta europiane është një nga pikat kyçe të fushatës elektorale të Partisë Socialiste, me premtimin se  është rruga e vetme...

Lexo më shumë

Rama: Dixhitalizimi i shërbimeve publike uli korrupsionin

Rama: Dixhitalizimi i shërbimeve publike uli korrupsionin
9 Maj, 2025

Kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se vetëm nga dixhitalizimi i shërbimeve publike është pastruar një pjesë e mirë...

Lexo më shumë

Rama në ‘Opinion’: Projekti i inceneratorëve ishte i duhuri,por ka patur individë…

Rama në ‘Opinion’: Projekti i inceneratorëve ishte i duhuri,por ka patur individë…
9 Maj, 2025

Kryeministri Edi Rama është mbrëmjen e sotme në emisionin Opinion në TV Klan, ku së bashku me ekipin e tij...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com