Presidenti rus, Vladimir Putin u tha zyrtarëve të tij në një video-konferencë se situata “po ndryshonte praktikisht çdo ditë, dhe fatkeqësisht jo për mirë” dhe javët e ardhshme të Rusisë do të ishin “vendimtare”.
“Ne kemi shumë probleme, nuk kemi asgjë për t’u mburrur dhe ne patjetër që nuk duhet të pushojmë,” citohet të ketë thënë ai nga “The Guardian”.
Ai u tha zyrtarëve që ata duhet të “konsiderojnë të gjithë skenarët se si do të zhvillohet situata, madje edhe ato më komplekset dhe të jashtëzakonshmet”.
Në videokonferencë, Putini bëri thirrje për masa për t’i dhënë fund mungesës së pajisjeve mbrojtëse për mjekët dhe shtoi se do të kërkohej ndihma e ministrisë së mbrojtjes nëse është e nevojshme.
Në 24 orët e fundit numri i rasteve me koronavirus në Rusi u rrit me 2,774 për një total prej 21 mijë të infektuarish prej të cilëve 170 kanë ndërruar jetë në spitale, 22 vetëm ditën e fundit.
Kina ka shprehur gjithashtu shqetësim për përhapjen e virusit në Rusi.
Ndërsa numri i rasteve të reja ditore të Kinës mbetet shumë më poshtë se kulmi i tij gjatë shpërthimit të pandemisë, shumica e tyre kanë qenë në rajone në kufi me fqinjin e saj verior. Kjo zonë është bërë fokusi i ri i masave duke bllokuar qytetet Hubin dhe Suifenhe.
Të hënën, komisioni kombëtar i shëndetësisë i Kinës raportoi se 79 nga 89 raste të reja të importuara ishin në provincën Heilongjiang. Ata ishin të gjithë qytetarë kinezë që udhëtonin në shtëpi nga Rusia, thanë të martën mediat shtetërore.
“Rusia është shembulli i dështimit për të kontrolluar rastet e importuara dhe mund të shërbejë si paralajmërim për të tjerët,” tha Global Times. /Opinion.al