Sikurse opozita ka paralajmëruar edhe këtë të enjte duket se nuk do të ketë zhvillim normal të seancës në Kuvend.
Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren me karrige, ndërkohë që kryedemokrati Sali Berisha po mban fjalën përmes një lidhjeje direkte në Facebook.
“Nëse s’dëgjoni, zhurmë mos bëni. Sigurisht që mbështesni verbërisht kreun e organizatës kriminale, për ju nuk ekzistojnë zgjedhësit, por vetëm Edi Rama. Prandaj, mos bëni zhurmë, dëgjoni! Kambanat bien për ju, ta keni të qartë, kjo është situata në Parlament”,- iu drejtua Berisha palës mazhoritare.
Më tej, Berisha sulmoi ministrin e Brendshëm Taulant Balla, për të cilin tha se ishte i akuzuar për vrasje dhe për vjedhjen e të dhënave të TIMS.
“E shihni atë kriminelin aty, ai është më kriminel se banditët e Elbasanit, se banditët e Bajrëve, se Rrajat, se gjithë të tjerët.
Se ai është shërbëtor i shpifur i tyre. Është një fundërrinë njerëzore, që nuk njeh asnjë lloj kufiri dhe morali. Ai që mban sot mandatin e ministrit të Brendshëm, është një njeri që duhet të jetë prej vitesh në burg. Ai është i akuzuar për vrasje dhe mercenarët e tij që ka sjellë në SKAP i kanë vjedhur shiritat.
Ai është i akuzuar për shoqërim- me fakte- në 54 raste në udhëtimet e tij jashtë shtetit, të Edmond Begos, ish-zëvendësit të Aldo Bares, të dënuar në Itali me 15 vite burg. Ai është i akuzuar, i faktuar, për udhëtimet e tij me Kolombo Gjokën, famozin e Metamorfozës. Ai është i akuzuar se ka liruar kriminelë nga komisariatet e policisë. Kur të flas, unë pusho ti. Pusho të thashë! Pra, ky është Taulant Begoja, i cili shkarkon oficerë policie se kishin IMSI Catcher epo Encrochat. Ky është hajduti, ky është krimineli që vodhi të dhënat e TIMS-it. Prandaj nuk lejohet komisioni hetimor parlamentar për TIMS-in. Por ne këtu jemi. I bindur të jesh ti se vrimë miu nuk do gjesh, komisioni do ndërtohet“-tha Berisha./Opinion.al