TIRANE- Kemi folur shpesh për ndërhyrjet dhe kontestimet e qeverisë mbi vendimet e gjykatave. Të gjitha këto janë mohuar nga Edi Rama.
Sot na vjen një tjetër shembull se si e komenton vendimin e gjykatës dhe si atakon direkt gjyqtaren, Taulant Balla.
Sipas Ballës, vendimi arbitrar për Xhelal Mziun pritej që në momentin që në ‘trupën gjyqësore ishte militantja botërisht e njohur e PD, Fatmira Hajdari, njëkohësisht bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari’.
Postimi i plotë i Ballës në FB
Me një vendim sa qesharak aq edhe shëmbëlltyrë e degradimit ku është sot sistemi gjyqësor në Shqipëri, Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm Xhelal Mziun për akuzën e provuar të shpërdorimit të detyrës. Megjithëse Kryetari i Bashkisë së Kamzës, në prill të vitit të kaluar u dënua nga Shkalla e Parë me dy vite burgim për shpërdorim detyre, sot tre gjyqtare e çliruan përkohësisht Xhelalin nga përgjegjësia.
Unë e kam ndjekur me vëmendje këtë proces, të cilin e konsideroj pa asnjë dyshim, një proces tipik pazari, po jo i drejtë.
Kam ndjekur me vëmendje se si u përjashtuan nga trupa dy gjyqtarë me të cilët dështuan negociatat e pazarit dhe si pas shumë “procedurash” u gjetën dy gjyqtare “të besueshme” për të dhënë “drejtësi.
Si ka mundësi që kaq hapur në një proces gjyqësor ndaj “liderit të ri karizmatik” të PD, sikurse është Xhelal Mziu, mund të pranohet që në trupën gjyqësore të jetë militantja botërisht e njohur e PD, Fatmira Hajdari (njëkohësisht bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari).
Vendimi i sotëm është një kambanë tjetër në morinë e kambanave që bien çdo ditë në gjykatat shqiptare, për nevojën urgjente të reformës në drejtësi.