Një gjykatë në Moskë e ka dënuar gazetaren Marina Ovsyannikova, me tetë vjet e gjysmë burgim, për shkak se ka protestuar në një edicion të drejtpërdrejtë të lajmeve kundër luftës së Rusisë në Ukrainë.
Kjo 45-vjeçare, e cila është gjykuar në mungesë, është shpallur fajtore për “përhapje të informacionit të rremë” për ushtrinë ruse.
Ajo ka ikur prej Rusisë me vajzën e saj vitin e kaluar, duke iu shmangur arrestit shtëpiak.
Vetë gazetarja i konsideron akuzat ndaj saj si “absurde”.
Rusia e ka nisur luftën kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Mirëpo ligji në Rusi e ka bërë vepër penale përshkrimin e luftës si “pushtim”.
Media shtetërore në Rusi e përshkruajnë luftën si “operacion special ushtarak”.
Dhjetëra persona janë burgosur ose gjobitur për “diskreditim” të ushtrisë së shtetit, hap që grupet për të drejta të njeriut e shohin si tentim të presidentit rus, Vladimir Putin për t’i shtypur disidentët.
Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL