Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme një mbledhje me Drejtuesit Politik, Koordinatorët dhe Kryetarët e Degëve.
Në fjalën e tij hapëse, Berisha u fokusua te protesta e PD që do të mbahet në 8 shkurt në Tiranë.
Kryedemokrati tha se synim i protestës do të jetë vota e lirë.
Berisha: E thirrëm këtë takim me ju më së pari për protestën e datës 8. Protesta e datës 8 si çdo mosbindje e jona civile ka synim votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ju, 3 ditë më parë, dëgjuat një autopsi të vërtetë të këtij regjimi dhe personalisht të Edi Ramës nga zëvendësi i tij për 10 vite me radhë.
Në komb të qytetëruar, para një gjendje të tillë, kryeministri jep dorëheqjen sepse zëvendësi i tij faktoi që ai kryeson një organizatë kriminale, më të rrezikshmen që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, ose ndonjë vend tjetër….Më datë 8 e gjithë Shqipëria zbret në Tiranë. Mirënjohje ndaj të gjithë shqiptarëve në emigracion në takime.
Nesër të nisim punën me takime në katër anët e Shqipërisë. Merrni masa, siguroni transportin, Tirana duhet të njohë protestën më të madhe në të gjithë ekzistencën e saj. Fati i votës së lirë varet nga ne jo nga Rama, duhet të përmbushim misionin tonë.