Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vazhduar me shembjen e objekteve që pengojnë zbatimin e projektit publik “Rikualifikim i hyrjes së qytetit Shkodër dhe bregut perëndimor të Liqenit të Shkodrës”.
Mësohet se janë 11 objekte 1 dhe 2 katëshe me funksione të ndryshme, të cilat do të prishen.
Projekti i ri për hyrjen e qytetit të Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe mbështetur nga qeveria, synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative.
Ai përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike për të shijuar pamjet e liqenit, si dhe hapësira për evente dhe koncerte.
Gjithashtu, do të ketë fusha të reja sportive dhe një mol të ri që do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj./tvklan