Në qytetin e Parisit po mbahet panairi ndërkombëtar EUROSATORY, ku marrin pjesë rreth 2 mijë kompani dhe delegacione nga shtete të ndryshme nga e gjithë bota, si dhe përfaqësues nga SHBA dhe NATO.
Shqipëria merr pjesë për herë të parë në këtë panair duke u përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare.
Shteti shqiptarë prezantoj prototipin e makinës ushtarake shqiptare ‘Shota’. Automjeti është i pajisur me një teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë. Qëllimi i krijimit të kësaj makine është fuqizimi i industrisë ushtarake shqiptare dhe jo vetëm.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e konsideroi këtë një moment të rëndësishëm. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan:
“Prezantohet në panairin EUROSATORY në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare Shota. Një moment i rëndësishëm që shënon pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar dhe përfaqëson një arritje të madhe për industrinë tonë të mbrojtjes”, shprehet Peleshi.
Panairi EUROSATORY në Paris do të zgjasë nga data 17 deri në 21 qershor.