Asnjë ndryshim nuk ka nga masa e sigurisë për dy zyrtarët e policisë Ention Xhelili dhe Artion Duka. Ata mbeten në “arrest shtëpie” edhe pse Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzuan gjyqtarin që dha vendimin e parë se është përdorur politikisht.
Një tjetër trupë gjyqësore ka lënë sot në fuqi masën “arrest shtëpie” për shefin e IT-së të Forcave Operacionale dhe për Drejtorin e Forcave Operacionale të Policisë.
Ata të dy akuzohen për “shpërdorim detyre” në lidhje me çështjen e “pajisjes së përgjimit”. Me vendim të prokurorisë, Gjykata ka pezulluar nga detyra edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Prokuroria ka dyshime se me pajisjen “IMSI Catcher”, policia shqiptare ka kryer përgjime.