Teksa Ukraina po kalon ditë të vështira nga sulmi rus, presidenti Zelensky ka falënderuar të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit në OKB për Rezolutën që dënon pushtimin nga Rusia.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Zelensky ka renditur flamujt e shteteve që dhanë votën “Pro” për dënimin e Rusisë, mes të cilëve ishte edhe Shqipëria.
“Falënderues për të gjitha shtetet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që votuan për të ndaluar sulmin rus. Veto e Rusisë është një njollë gjaku në pllakën e saj në Këshillin e Sigurimit, hartën e Europës dhe botës. Koalicioni anti-luftë duhet të reagojë menjëherë”, ka shkruar Zelensky .
Pavarësisht kësaj, Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk mundi ta miratojë rezolutën për shkak të vetos ruse.
Rusia është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, po shërben aktualisht si president i këshillit të këtij muaji.