Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka dërguar sot për gjykim 7 personat e arrestuar nga operacioni “Metamorfoza”.
Në një njoftim zyrtar, sot SPAK bëri me dije se dërgoi për gjykim biznesmenin Pëllumb Gjoka, Behar Bajrin, ish-prokurorin Xhevahir Lita, apo ish-shefin e operacionales Oltion Bistri.
Por në fund të njoftimit, SPAK, thotë se ka veçuar dosjen për personat e tjerë që dyshohen si të implikuar, për të cilët nuk është ekzekutuar ende masa e sigurisë. Në këtë listë bën pjesë dhe ish-bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj i cili prej afro dy vitesh rezulton i zhdukur.
“Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale, që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake”, njoftoi sot SPAK
I shumëkërkuari i policisë shfaqet në bisedat me Behar Bajrin të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit.
Kujtojmë se Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022.