Arben Ahmetaj pritet të humbasë mandatin e deputetit ditën e sotme, pasi në kushtet e arratisë, nuk është paraqitur në Kuvend në 6 muajt e fundit.
Seanca e 6 korrikut ishte e fundit kur Ahmetaj ka shkelur në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas përcaktimeve kushtetuese e shtuna e sotme, është dita e fundit që Ahmetaj mund të gëzojë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas pritet shpallja e pavlefshmërisë së mandatit të tij.
Kuvendi do të duhet të shpallë vakancën e krijuar nga humbja e mandatit të deputetit nga Arben Ahmetaj dhe të njoftojë zyrtarisht KQZ-në për plotësimin.
Kodi Zgjedhor përcakton se KQZ plotëson vakancën e krijuar me kandidatin e radhës në listën shumë emërore të të njëjtin subjekt politik për të njëjtën zonë zgjedhore. Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën.