Nga Kongresi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, përfaqësuesi i Kryeministrit grek Alexis Tsipras, Makropoulos ka lëshuar një deklaratë të fortë, kur ka pohuar se në qeverinë shqiptare ka pasardhës të njerëzve që kanë bashkëpunuar me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë deklaratë, Makropoulos e ka bërë në kohën që në sallë ishte edhe Kryeministri Rama, duke iu drejtuar atij me këto fjalë:
“Si është e mundur që pasardhësit e luftëtarëve kundër Gjermanisë naziste, të pranojnë dhe tolerojnë pranë disa pasardhës të nazistëve. Me thëniet e tyre ata fyejnë historinë e ekzistencës së Shqipërisë dhe jo të Greqisë.
Si ka mundësi që ju zoti Kryeministër i keni në koalicionin qeveritar pasardhës të atyre që kanë bashkëpunuar me nazistët gjatë luftës”.
Duket se këto fjalë, politikani grek ia ka drejtuar PDIU-së edhe pse nuk i përmendi direkt, teksa është shprehur që pasardhësit e bashkëpunëtorëve të nazistëve gjatë Luftës së II Botërore janë në Qeveri, ndërsa minoriteti grek që ka 6 deputetë në Parlament, nuk është fare i përfaqësuar në Ekzekutiv.