Policia rrugore do të ketë për herë të parë një njësi të posaçme operacionale. Në gjithë Shqipërinë do të shtohet një strukturë e re.
Policia rrugore pritet të ketë një strukturë të re brenda saj e cila do të përbëhet nga 30 efektivë të përzgjedhur. Struktura që është firmosur para disa ditësh, nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Haki Çako do të hetojë aksidentet e rënda, dhe do të ketë atribute për të zhvilluar operacione blic në të gjithë vendin.
Arsyet për këtë njësi të re policore lidhen me synimin për të rritur parametrat e sigurisë rrugore në vend, duke shtuar një hallkë tjetër në zinxhirin e masave për parandalimin e aksidenteve. Ndërkohë shumë shpejt në autostradat kryesore të vendit do të kemi edhe radarë spiunë.
Këta të fundit janë të aftë të konstatojnë në distanca të mëdha dhe shpejtësi të lartë, nëse drejtuesi i mjetit ka vënë rripin e sigurimit, po flet në telefon ose ka tejkaluar shpejtësinë e lejuar dhe në mënyrë automatike dërgon në sistem të dhënat e mjetit.
Ndonëse për 6 mujorin e parë krahasuar me një vit më parë, numri i aksidenteve është në rënie, statistikat mbeten të larta krahasuar me standartin e vendeve të Bashkimit Europian.