Policia ka ndihmuar pesë turistë nga Mbretëria e Bashkuar që kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, për shkak të terrenit të vështirë malor dhe errësirës.
Operacioni i kërkim-shpëtimi që u zhvillua për disa orë pas mesnatës u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me grupin alpin të Forcës Kombëtare të Sigurisë, dhe me Federatën Shqiptare të Alpinizmit.
Autoritetet pas gati 5 orësh kërkime, kanë bërë të mundur gjetjen dhe shpëtimin e 5 turistëve të huaj, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.