Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako në mbledhjen e komitetit të sigurisë kombëtare të aviacionit civil ka kërkuar që nëse kompania TIA nuk arrin të krijojë kushtet e nevojshme të sigurisë, kjo detyrë t’i ngarkohet Policisë së Shtetit, duke riparë kontratën koncesionare.
Kërkesa e Çakos që siguria e aeroportit t’i kalonte policisë është refuzuar nga ana e Drejtorit të aeroportit Castro Vasquez, i cili është shprehur se siguria i takon koncensionarit dhe ashtu do të vazhdojë pavarësisht nga ngjarja e ndodhur,
Çështja e masave në Rinas, mblodhi paraditen e së premtes në një takim Komitetin e Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil Shqiptar, i cili analizoi për më shumë se dy orë ngjarjen e 30 Qershorit.
Mësohet se përfaqësuesit e policisë u shprehën në takim se mosmarrja e masave nga TIA, për të plotësuar elementët e sigurisë të kërkuara gjatë muajve Mars dhe Maj ndikuan drejpërdrejt që perimetri i brendshëm i aeroportit të thyhej. Përfaqësuesit e policisë theksuan se roli i saj në sigurinë e aeroportit duhet të jetë më i madh duke riparë elementet e kontratës. Kjo u kundërshtua nga përfaqësuesit e TIA-s të cilët kërkuan vetëpërmbajtje deri në momentin që do të përfundojë hetimi për përgjegjësit realë.
Firmës koncesionare i janë lënë 12 detyra me qëllim rritjen e elementëve të sigurisë, të cilat do të monitorohen nga autoriteti i aviacionit civil, policia e shtetit dhe SHISH.