Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Pesë çështje para BE-së këtë vjeshtë

2025/08/11 at 6:18 PM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
Pesë çështje para BE-së këtë vjeshtë

Bashkimi Evropian pjesën më të madhe të gushtit është në pushim të verës, pa seanca plenare të Parlamentit Evropian, pa mbledhje të Këshillit dhe pa takime të komisioneve.


Me pak fjalë, gjatë këtyre javëve nuk diskutohet – e aq më pak vendoset – për ndonjë çështje të rëndësishme.

Por, sapo diplomatët dhe zyrtarët të kthehen në zyrat e tyre në shtator, BE-ja do të përballet me vendime të mundshme të vështira dhe dilema gjatë vjeshtës.

Radio Evropa e Lirë sjell pesë çështjet kryesore që pritet të jenë në qendër të vëmendjes në muajt në vijim.

A do të zhbllokohen asetet e Rusisë?

Mbi 200 miliardë euro asete të ngrira të Rusisë ndodhen në Bashkimin Evropian që nga shkurti i vitit 2022, kur blloku filloi të vendoste sanksione ndaj Moskës pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Që atëherë, ka vazhduar debati i ashpër se çfarë duhet bërë me këto para.

Më 29-30 gusht, ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen në Danimarkë për një takim joformal të njohur si “Gymnich”, që shpesh shënon hapjen e sesionit të vjeshtës për bllokun.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se ky është momenti për të vendosur për fatin e aseteve – duke i cilësuar si një mjet të fuqishëm pazari për të ardhmen, por edhe një burim dilemash ligjore.

Shumë shtete anëtare të BE-së, veçanërisht ato në lindje që kanë një qasje më të ashpër ndaj Moskës, kërkojnë që paratë të konfiskohen për të financuar armët për Ukrainën ose për të rimbushur arsenalin e bllokut.

Argumenti i tyre është se kjo mund të mbulojë mungesën e mundshme të financimit nga SHBA-ja dhe se është më e drejtë që këto para të Rusisë të përdoren për këtë qëllim, në vend të taksapaguesve evropianë.

Të tjerë, sidomos shtetet më të mëdha, nuk janë të gatshëm për konfiskim ende. Ata thonë se këto para mund të shërbejnë si kartë negociuese për paqe ose armëpushim, pasi Moska kërkon të rimarrë një pjesë të tyre.

Po ashtu, përmendet mundësia që të përdoren si mjet presioni ndaj Kremlinit për bashkëpunim me tribunalin e ri për luftën. Një tjetër opsion është që asetet të mbeten të ngrira për të financuar rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës.

Banka Qendrore Evropiane ka shprehur frikën se konfiskimi i aseteve mund të dëmtojë reputacionin e euros si monedhë globale dhe të dekurajojë vendet të investojnë në Eurozonë.

Belgjika, ku ndodhet depozita qendrore e sigurisë “Euroclear” – që mban shumicën e këtyre aseteve sovrane – është po ashtu e kujdesshme ndaj veprimeve të njëanshme. Argumenti belg është se asetet e ngrira janë një “mundësi e artë”, pasi fitimet e papritura që ato gjenerojnë, rreth 1-2 miliardë euro çdo tre muaj, shkojnë drejtpërdrejt në arkën e Ukrainës.

A do të ndahen Moldavia dhe Ukraina në rrugën e tyre drejt integrimit në BE?

Deri më tani, Ukraina dhe Moldavia kanë ecur së bashku në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të dyja morën statusin e vendit kandidat në vitin 2022 dhe, në fund të vitit 2023, vendet anëtare të BE-së ranë dakord të nisin bisedimet e anëtarësimit me to.

Shumica e diplomatëve evropianë prisnin që gjysma e parë e këtij viti të sillte hapjen e kapitujve të parë nga 33 sa janë gjithsej, si për Kishinjevin, ashtu edhe për Kievin. Por, Hungaria po e bllokon nisjen e këtyre negociatave, duke pretenduar se Ukraina nuk garanton të drejtat e pakicës hungareze.

Meqë Moldavia dhe Ukraina janë “të lidhura” deri tani në këtë proces, bllokada prek edhe Kishinjevin. Këtë pranverë pati diskutime për t’i ndarë këto dy vende në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që të paktën Moldavia të ecte përpara, por nuk u arrit ndonjë konsensus.

Hungaria ka sinjalizuar se nuk do të tërhiqet nga ky qëndrim, sidomos pas një referendumi jodetyrues më herët këtë vit, në të cilin 95 për qind e pjesëmarrësve u shprehën kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE. Shumë zyrtarë të BE-së besojnë se ky pozicion nuk do të ndryshojë deri pas zgjedhjeve parlamentare hungareze në prill 2026.

Ndërkohë, Moldavia mban zgjedhje më 28 shtator, ku Qeveria proevropiane kërkon një mandat të ri. Në Bruksel po qarkullojnë zëra se Ukraina dhe mbështetësit e saj kanë pranuar një ndarje të procesit, ku Moldavia do të avanconte e vetme. Një vendim i tillë mund të merret në fillim të shtatorit, për të ndikuar potencialisht në favor të forcave pro BE-së në zgjedhjet moldave.

Çfarë do të bëjë BE-ja për Gjeorgjinë?

Brukseli pritet të vazhdojë këtë vjeshtë përballjen me kthimin prapa të demokracisë në Gjeorgji, dhe disa vendime mund të pasqyrojnë këtë realitet. Komisioni Evropian i dërgoi një letër Qeverisë gjeorgjiane në korrik, duke i kërkuar që deri në fund të gushtit të përmbushë tetë kushtet e vendosura në fund të vitit 2024 – përfshirë shfuqizimin e Ligjit të diskutueshëm për “agjentët e huaj” dhe paketën po aq të kontestuar ligjore për “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve”.

Pak në Bruksel presin që Tbilisi të bëjë lëvizje të mëdha në këto çështje, ndaj mbetet pyetja: si dhe kur do të përgjigjet BE-ja?

Deri më tani nuk ka pasur sanksione ndaj zyrtarëve të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane apo gjyqtarëve të konsideruar përgjegjës për shënjestrimin e opozitës dhe protestuesve, pasi Hungaria dhe Sllovakia i kanë bllokuar ato – dhe pritet ta bëjnë sërish.

Në Bruksel po punohet për pezullimin e liberalizimit të vizave të Gjeorgjisë me bllokun. Për këtë masë nevojitet vetëm një shumicë e kualifikuar e vendeve anëtare të BE-së (55 për qind e shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së), dhe kjo shumicë duket se është siguruar. Do të ishte hera e parë që BE-ja pezullon liberalizimin e vizave për një vend kandidat, por Brukseli duket se po përgatit kuadrin e nevojshëm ligjor.

Mund të shohim gjithashtu pezullimin e disa pjesëve të marrëveshjes së asociimit BE-Gjeorgji, përfshirë aspektet e saj të tregtisë së lirë. Pyetja mbetet sa i përket kohës: ministrat e Jashtëm të BE-së nuk mblidhen zyrtarisht në format Këshilli deri në fund të tetorit, duke i lënë Tbilisit më shumë kohë për t’u përgjigjur. Deri atëherë, Gjeorgjia do të ketë mbajtur edhe zgjedhjet lokale më 4 tetor – një tregues tjetër i drejtimit që po merr kjo republikë e Kaukazit të Jugut.

Zbatimi i sistemit të ri të udhëtimeve

Pas shumë vonesash, më 12 tetor, Bashkimi Evropian do të nisë më në fund zbatimin e Sistemit të hyrje-daljeve (EES). Ky sistem ka rëndësi për të gjithë shtetasit që nuk janë nga vendet e BE-së dhe që udhëtojnë në 24 shtetet anëtare pjesëmarrëse (të gjitha vendet e BE-së përveç Qipros dhe Irlandës, ndërsa Danimarka mund t’i bashkohet më vonë), si dhe në katër vende joanëtare të BE-së – Norvegji, Islandë, Zvicër dhe Lihtenshtajn.

EES-i i jep fund vulosjes manuale të pasaportave dhe synon ta zëvendësojë atë me një sistem të sofistikuar teknologjik në çdo aeroport ndërkombëtar, port dhe pikë kufitare tokësore, që regjistron hyrjet, daljet, shenjat e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës.

Zbatimi do të bëhet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Shtetet anëtare të BE-së që kanë qendra të mëdha ndërkombëtare udhëtimi frikësohen se një nisje e menjëhershme dhe e plotë e këtij sistemi do të shkaktonte kolaps. Për një kohë të gjatë besohej se sistemi teknologjik i EES-it nuk ishte teknikisht i qëndrueshëm, por zyrtarët e BE-së tani shprehen të bindur se gjithçka është gati për funksionim.

Nëse zbatimi i plotë i EES-it përfundon në tremujorin e parë të vitit 2026, mund të pritet që edhe ETIAS-i (Sistemi Evropian për Informacion dhe Autorizim të Udhëtimit) të nisë më vonë gjatë atij viti, pasi të dy sistemet janë të ndërlidhura.

ETIAS-i është ekuivalenti i BE-së për Sistemin Elektronik të Autorizimit të Udhëtimit (ESTA) të Shteteve të Bashkuara dhe pritet të ketë ndikim të madh te udhëtarët që hyjnë në BE pa viza.

Rreth 1.4 miliard persona – përfshirë qytetarë të Britanisë së Madhe, Gjeorgjisë, Moldavisë, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së – do të kenë nevojë për këtë autorizim para se të hyjnë për herë të parë në bllok. Ai do të vlejë për tre vjet dhe do të kushtojë shtatë euro.

Ku priten zgjedhje?

Këtë vjeshtë nuk priten shumë zgjedhje në Evropë, çka është diçka e rrallë. Moldavia mban një votim vendimtar në shtator, ndërsa në fund të tetorit në Holandë do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, ku pritet që partia populiste e djathtë PVV të dalë e para, por ka gjasa që një koalicion i qendrës së majtë dhe i të gjelbërve të formojë Qeverinë.

Ndoshta votimi më interesant do të jetë në Çeki më 3-4 tetor. Të gjitha sondazhet tregojnë se populisti Andrej Babish do të rikthehet në pushtet. Çështja kryesore për t’u ndjekur është nëse partia e tij ANO do të qeverisë e vetme, me mbështetjen e forcave edhe më radikale në të majtë dhe të djathtë të spektrit politik, apo nëse ndonjë parti nga koalicioni aktual proevropian do t’i japë mbështetje. Kjo do të përcaktojë se çfarë lloj Çekie do të paraqitet në skenën evropiane.

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, dhe ai i Hungarisë, Viktor Orban, ka gjasa të mirëprisin një partner në Pragë, me të cilin ndajnë qëndrimet. Ndërkohë, pasi populisti Karol Nawrocki u betua së fundmi si president i Polonisë me pritshmërinë për të bllokuar legjislacionin e kryeministrit më liberal Donald Tusk, në Varshavë po qarkullojnë zëra se Qeveria e tij mund të bjerë, duke hapur rrugën për rikthimin e partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi.

Nga e gjitha kjo po del sërish në pah një Grup i Vishegradit (V4), që ka qëndrime të ngjashme. Ky bllok prej katër vendesh të Evropës Qendrore për vite me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e politikave të BE-së. Por, për shkak të dallimeve të fundit politike, V4 kishte mbetur kryesisht një koncept pasiv. Tani, ai mund të rikthehet si një faktor, që duhet ndjekur me vëmendje.

Natyrisht, ende ka dallime – sidomos sa i përket marrëdhënieve me Rusinë – dhe Varshava vazhdon të jetë disi përjashtim, pasi pritet që Tusk të vazhdojë kursin e tij. Por, nëse Babish rikthehet këtë vjeshtë me një mandat të qartë popullor, atëherë do të kemi tre kryeqytete të Evropës Qendrore me qëndrim skeptik si ndaj Brukselit, ashtu edhe ndaj Kievit.

Kjo, sigurisht, mund të ndryshojë sërish kur Hungaria të mbajë zgjedhjet e shumëpritura parlamentare në pranverën e vitit 2026, por në një moment kyç për Evropën, vendet e Vishegradit mund të shndërrohen në një burim surprizash të mëdha për zhvillimet që do të vijnë./REL



Ju sugjerojmë

Presidenti iranian: Rindërtimi bërthamor pa bisedime me SHBA-në, i kotë
Bota

Presidenti iranian: Rindërtimi bërthamor pa bisedime me SHBA-në, i kotë

11 Gusht, 2025 9:58 pm
Demokracia në SHBA nën presion
Bota

Trump angazhon Gardën Kombëtare në Uashington për të luftuar krimin

11 Gusht, 2025 9:30 pm
Akuzohen për zjarrvënie/Arrestohet një person, nis hetimi për dy të tjerë
Aktualitet

Akuzohen për zjarrvënie/Arrestohet një person, nis hetimi për dy të tjerë

11 Gusht, 2025 9:12 pm
Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë
Rajoni

Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë

11 Gusht, 2025 8:53 pm
Shqipëria në luftë me flakët, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e autoriteteve
Aktualitet

Shqipëria në luftë me flakët, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e autoriteteve

11 Gusht, 2025 8:25 pm
Aksident në aksin Levan-Mifol, makina përmbyset në kanal
Aktualitet

Aksident në aksin Levan-Mifol, makina përmbyset në kanal

11 Gusht, 2025 8:12 pm
Zjarri në Lekël të Tepelenës vihet nën kontroll, përballja me flakët në dy drejtime
Aktualitet

Zjarri në Lekël të Tepelenës vihet nën kontroll, përballja me flakët në dy drejtime

11 Gusht, 2025 8:00 pm
Trump arrin në samitin e NATO,aleatët zotohen për rritje të shpenzimeve në mbrojtje
Bota

Trump: Do të tentoj t’ia kthej Ukrainës tokën e vet

11 Gusht, 2025 7:40 pm
Ambasada e SHBA dhe Italisë bëjnë thirrje për respektimin e vendimit të Kushtetueses
Bota

Ambasada e SHBA dhe Italisë bëjnë thirrje për respektimin e vendimit të Kushtetueses

11 Gusht, 2025 7:08 pm
Zjarr në zonën e minuar “Piramida 12”, vështirësohet ndërhyrja e autoriteteve
Aktualitet

Zjarr në zonën e minuar “Piramida 12”, vështirësohet ndërhyrja e autoriteteve

11 Gusht, 2025 6:47 pm
Para
Zjarr pranë “Syrit të Kaltër”, evakuohen rreth 400 turistë

Zjarr pranë “Syrit të Kaltër”, evakuohen rreth 400 turistë

Zjarr në zonën e minuar “Piramida 12”, vështirësohet ndërhyrja e autoriteteve

Zjarr në zonën e minuar “Piramida 12”, vështirësohet ndërhyrja e autoriteteve

Ambasada e SHBA dhe Italisë bëjnë thirrje për respektimin e vendimit të Kushtetueses

Ambasada e SHBA dhe Italisë bëjnë thirrje për respektimin e vendimit të Kushtetueses
















TE FUNDIT

Presidenti iranian: Rindërtimi bërthamor pa bisedime me SHBA-në, i kotë

Presidenti iranian: Rindërtimi bërthamor pa bisedime me SHBA-në, i kotë
11 Gusht, 2025

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, ka paralajmëruar se shteti i tij përballet me përshkallëzim konflikti me Shtetet e Bashkuara, nëse nuk...

Lexo më shumë

Trump angazhon Gardën Kombëtare në Uashington për të luftuar krimin

Demokracia në SHBA nën presion
11 Gusht, 2025

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka angazhuar të hënën ushtrinë për ta luftuar krimin e dhunshëm në Uashington, teksa përmbush...

Lexo më shumë

Akuzohen për zjarrvënie/Arrestohet një person, nis hetimi për dy të tjerë

Akuzohen për zjarrvënie/Arrestohet një person, nis hetimi për dy të tjerë
11 Gusht, 2025

Policia ka ndaluar 1 shtetas dhe ka nisur procedimin penali për 2 të tjerë, pasi akuzohen për 3 raste zjarrvënie,...

Lexo më shumë

Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë

Korriku i këtij viti, muaji më i nxehtë ndonjëherë në Kosovë
11 Gusht, 2025

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur të hënën se në muajin korrik është regjistruar temperature rekorde – mbi...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com