Bashkimi Europian ka reaguar ndaj përplasjes verbale mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan, duke u vendosur përkrah Donald Lu.
“BE shpreh vlerësimin më të lartë për angazhimin diplomatik të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe në veçanti të ambasadorit Donald Lu”, thuhet në një deklaratë për shtyp.
Në reagimin e misionit evropian thuhet se, BE dhe SHBA po bashkëpunojnë ngushtë për të mbështetur qytetarët shqiptarë për krijimin e një sistemi drejtësie tërësisht të pavarur, të përgjegjshëm, të paanshëm dhe profesional.
“Nisja e menjëhershme e operacionit të monitorimit ndërkombëtar, që nga java e ardhshme do të mbikëqyrë procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është një tjetër angazhim i përbashkët i BE dhe SHBA”, thuhet në deklaratë.