Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka ndarë urimin e saj me rastin e Ditës së Pavarësisë të Ukrainës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spriopali shkruan se Ukraina në këtë ditë të shënuar është përfshirë, kundër dëshirës së tij, në luftën çlirimtare për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale prej agresionit rus.
Kryeparlamentarja thekson se Shqipëria është e palëkundur në mbështetje të Ukrainës.
Mesazhi i plotë i Spiropalit:
Si sot, 33 vjet më parë, më 24 gusht 1991, Ukraina fitoi Pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.
Ukraina mike kremton sot Ditën e Pavarësisë dhe Lirisë. Në këtë ditë të shënuar, populli i Ukrainës është përfshirë, kundër dëshirës së tij, në luftën çlirimtare për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale prej agresionit neoimperialist të Rusisë së Putinit.
Shqipëria ka mbajtur e mban një qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, bashkë me SHBA-të, BE-në, NATO-n, dhe botën demokratike, në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare, duke filluar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara deri në Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë.
Mbështetja jonë e vendosur për Ukrainën do të vijojë, jo vetëm për çlirimin e saj, për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por edhe për sigurinë, kthimin e rendit ndërkombëtar, për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Slava Ukraini!.