Para një viti Robert Elsie qendroi në Zürich, ku foli para studentëve shqiptarë mbi rëndësinë e gjuhës shqipe. Ai e shpjegoi këtë duke prezantuar një shishe me ujë. «Në fund të kësaj shisheje gjendet protoshqipja, janë disa pika, pastaj shihet latinishtja, e cila ka ushtruar një ndikim tepër të madh mbi gjuhën shqipe, më vonë, nga shekulli i ‘7, në Ballkan vijnë sllavët dhe në gjuhën shqipe edhe sot vërehet ndikimi i fjalëve sllave, mandej pushtimi 500-vjeçar turk ka lënë gjurmë edhe në gjuhë, jo në strukturën e saj, por në fondin e fjalëve, në vokabular». Sa i përket gjenezës së fjalës shqiptar, Elsie iu referua foljes latine excipio, -ere, që domethënë flas qartë. «Njerëzit kështu kanë dashur të tregojnë se ne flasim qartë, ndërsa të tjerët jo, ngase ata kanë folur një gjuhë tjetër. Sllavët, për shembull, gjermanëve u thonë nemci, memecë, ata që s’flasin. Meqë nuk mund të merreshin vesh me ta i quajtën nemci».
Robert Elsie ishte i obsesionuar me botën shqiptare – me gjuhën, njerëzit, natyrën, kulturën e përgjithshme, etnografinë. Ai ishte një koleksionist i jashtëzakonshëm i dokumenteve të vjetra të shqipes, i veprave, regjistrimeve radiofonike, fotografive.
Vdekja e tij sot herët në Berlin, në moshën 67-vjeçare, është një lajm i hidhur dhe një humbje e madhe për kulturën shqiptare. Robert Elsie ishte një akademi në vete, i palodhshëm në shërbim të kulturës shqiptare.
Shqipërinë e zbuloi përfundimisht në fund të viteve ’70, kur e vizitoi për herë të parë. Dhe që nga atëherë nuk iu nda studimit, hulumtimit dhe lartësimit të letërsisë, kulturës dhe dijeve shqiptare. Një urë lidhëse e tij me botën shqiptare ishte Seminari i Gjuhës Shqipe në Prishtinë që mbahet çdo vit në gusht.
Robert Elsie u lind më 29 qershor 1950 në Vancouver të Kanadasë. Studioi filologjinë klasike dhe gjuhësinë në Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Europë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoratën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të «takimeve shkencore» midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve ‘70 dhe në fillim të viteve ‘80 i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.
Në mes të viteve 80-të, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet ‘90 deri ne fillim të shekullit të ‘21 ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Europës, etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Robert Elsie është anëtar i Shoqatës së Europës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime. Kjo vepër e fundit doli në shqip me titullin Histori e letërsisë shqiptare, Pejë 1997, dhe polonisht me titullin Zarys historii literatury albanskiej (Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare), Torunj 2004. Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponjë e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, dhe në gjermanisht në vëllimin Freie Verse (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987; një antologji gjermanisht e poezisë shqiptare në Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenwart (Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot), Hildesheim 1988; dhe veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja në Who Will Slay the Wolf: Selected Poetry (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur), Nju Jork 2000; Flora Brovina në vëllimin Call Me by My Name: Poetry from Kosova (Ma vë emrin tim: poezi nga Kosova), Nju Jork 2001; dhe Eqrem Basha në vëllimin Neither a Wound nor a Song: Poetry from Kosova (S’është plagë s’është as këngë: poezi nga Kosova), Nju Jork 2003.
Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996, i cili doli në shqip me titullin Një fund dhe një fillim, Tiranë & Prishtinë 1995.
Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Powder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997. Pas kësaj botoi edhe një përmbledhje tekstesh historike për Kosovën me titullin Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia, Early Twentieth-Century Documents (Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë), Pejë 2002.
Në vitet e mëpasshme, Robert Elsie u përqendrua më shumë në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fejës, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër 2001, i cili doli në gjermanisht në vëllimin Handbuch zur albanischen Volkskultur (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Visbadën (Wiesbaden) 2002, dhe në shqip në vëllimin Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Tiranë 2005.
Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Der Kanun: Das albanische Gewohnheitsrecht nach dem sogenannten Kanun des Lekë Dukagjini (Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit), Pejë 2001; dhe në bashkëpunim me Antonia Young (Bradford) dhe Ann Christine Eek (Oslo) botoi studimin antropologjik të fshatit kosovar nga antropologia norvegjeze Berit Backer (1947-1993), Behind Stone Walls: Changing Household Organization among the Albanians of Kosova (Prapa mureve të gurta: ndryshime në organizimin familjar ndër shqiptarët e Kosovës), Pejë 2003.
Pas kësaj ai botoi dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda (rreth 1888-1933), Albanisches Bauernleben im oberen Rekatal bei Dibra, Makedonien (Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë), Vjenë 2007.
Në fushën e historisë, me të cilën është marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, Elsie ka botuar – në bashkëpunim me Robert Dankoff (Universiteti i Çikagos) – dhe ka përkthyer nga osmanishtja pjesët e veprës Sejahatname të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për trevat shqiptare: Evliya Çelebi in Albania and Adjacent Regions (Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje), Leiden 2000, libër që doli edhe në shqip në vëllimin Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje, Tiranë 2008.
Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin Historia – më e vjetër – e Shqipërisë, Tiranë 2004. Elsie zbuloi dhe botoi gjithashtu dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) në Reisen in den Balkan (Udhëtime në Ballkan), Pejë 2001, që doli shqip në vëllimin Udhëtime nëpër Ballkan, Tiranë 2007. Në bashkëpunim me Bejtullah Destanin (Londër), ai botoi ditarin e poetit dhe piktorit të njohur anglez, Edward Lear (1812-1888), në vëllimin Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (Edward Lear në Shqipëri, ditari i një piktori pejsazhesh), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849, Tiranë 2008. Gjithashtu u botua një përmbledhje tekstesh të hershme historike për Shqipërinë, përkthyer nga gjuhë të ndryshme, Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries (Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shek. 11-17), Wiesbaden 2003.
Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga masat e lexuesve perëndimorë, Elsie botoi dy manualë informativ për këto vende: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe Historical Dictionary of Kosova (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland, 2004, të cilët, me gjithë titullin «historik», janë vepra informative të përgjithshme.
Përsëri në fushën e letërsisë, Elsie botoi një vëllim të ri të historisë së letërsisë, më të përmbledhur dhe më të shkurtër, në vëllimin Albanian Literature: A Short History, Londër 2005, që doli në shqip në vëllimin Letërsia shqipe: një histori e shkurtër, Tiranë 2006. Ai ka bërë edhe përkthime të tjera letrare, prapë me Janice Mathie-Heck: vepra të zgjedhura të këngës epike të veriut në vëllimin Songs of the Frontier Warriors: Këngë Kreshnikësh, Albanian Epic Verse (Këngë kreshnikësh, poezia epike shqiptare), Wauconda, Illinois 2004; tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Migjeni, në vëllimin Tales from Old Shkodra: Early Albanian Short Stories (Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare), Pejë 2004; vepra të përmbledhura poetike të Visar Zhitit (l. 1952) në The Condemned Apple (Molla e dënimit), Los Anxheles 2005; antologjinë e parë në anglisht të prozës bashkëkohore shqiptare në vëllimin Balkan Beauty, Balkan Blood: Modern Albanian Short Stories (Bukuria e Ballkanit, gjaku i Ballkanit: tregime bashkëkohore shqiptare), Evanston, Illinois 2006; romanin e Fatos Kongolit (l. 1944) The Loser (I Humburi), Brixhend (Bridgend), Uells 2007; veprat poetike të Azem Shkrelit (1938-1997) në vëllimin Blood of the Quill: Selected Poetry from Kosovo (Gjaku i penës: poezi të zgjedhur nga Kosova), Los Anxheles 2008; një antologji të plotë historike të poezisë shqipe Lightning from the Depths: An Anthology of Albanian Poetry (Se fund’i ujit vetëti: antologji e poezisë shqipe), Evanston, Illinois 2008; romanin e Ornela Vorpsit (l. 1968) The Country Where No One Ever Dies (Vendi ku nuk vdes askush), Shampejn (Champaign), Illinois 2009; dhe përkthime të mëtejshme të poezisë gojore në librin e Anna Di Lellio-s The Battle of Kosovo, 1389, An Albanian Epic, (Beteja e Kosovës, 1389, një epos shqiptar), Londër 2009.
Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është sigurisht përkthimi në anglisht (në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck) nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta. Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit.
Robert Elsie e ka mrekulluar edhe bota e fotografisë së hershme shqiptare. Në këtë fushë ai ka botuar dy albume të mëdha: Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani, Prishtinë 2007, i cili përfshin fotografitë e para të bëra ne Shqipëri (pesëdhjetë fotografi të fotografit vjenez Jozef Sékeli (Josef Székely) nga viti 1863), dhe koleksionet e baronit Franc Nopça, të Bajazid Elmaz Dodës, të albanologut austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), dhe të ushtarakëve të misionit ushtarak holandez të viteve 1913-1914. Ai ka botuar gjithashtu në një vëllim trigjuhësor – anglisht, frëngjisht, shqip, të fotografive të para me ngjyra në Shqipëri dhe në Kosovë, që janë autokromat e koleksionit Albert Kan (Albert Kahn) në Paris, me titullin Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913, Tiranë 2010.
Së fundi janë botuar për herën e dytë, të përditësuar dhe dukshëm të zmadhuar: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2010, me 660 faqe; dhe Historical Dictionary of Kosovo (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland 2010, me 451 faqe. Këta dy libra janë përkthyer edhe shqip.
Me gjithë se puna studimore dhe, si pasojë, botimet e Robert Elsie-t janë përqendruar kryesisht në albanologji, ai ka botuar edhe vepra të tjera: Dialect Relationships in Goidelic: A Study in Celtic Dialectology (Marrëdhëniet dialektore në goidelishten: një hulumtim në dialektologjinë keltike), Hamburg 1986; dhe antologjitë poetike The Pied Poets: Contemporary Verse of the Transylvanian and Danube Germans of Romania (Poetë të shumëngjyrshëm: poezia bashkëkohore të gjermanëve të Transilvanisë dhe të Danubit në Rumani), Londër 1990; dhe An Anthology of Sorbian Poetry from the 16th-20th Centuries (Antologjia e poezisë sorbe nga shek. 16-20), Londër 1990, si dhe një përkthim në gjermanisht të poetit të njohur grek Konstantin Kavafis (1863-1933) në vëllimin Konstantinos Kavafis: Das Gesamtwerk, griechisch und deutsch (Konstantin Kavafis: Veprat e plota, greqisht dhe gjermanisht), Zürich 1997.
Vendi që zë Robert Elsie ndër radhët e albanologëve është rritur edhe më shumë pas viteve 1990-të me faqet e tij të njohura të internetit, të cilat i japin botës të dhëna të hollësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Përveç faqes së tij personale www.elsie.de, Robert Elsie ka faqet: www.albanianhistory.net, e cila ofron një gamë të gjerë tekstesh dhe dokumentesh të historisë shqiptare; www.albanianlanguage.net, e cila përmban regjistrime zanore të më shumë se 150 të folmeve të shqipes nga dhjetë shtete, të incizuar kryesisht nga vetë Elsie, si dhe zërat e disa figurave të njohura shqiptare të së kaluarës; www.albanianliterature.net, që ofron koleksionin më të madh botëror të letërsisë shqiptare përkthyer në anglisht; www.albanianphotography.net, ku ndodhen koleksione të ndryshme të hershme fotografike nga Shqipëria dhe Kosova; dhe www.albanianart.net, që përmban një prezantim të artit pamor shqiptar (piktura e hershme shqiptare, veshje popullore etj.).
/Përgatiti: DialogPlus