Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Pasuria e një gjyqtari ‘milioner’ në skanerin e drejtësisë

2016/04/02 at 10:58 AM
në Aktualitet, Te Fundit
Kohë leximi: 10 min
A A
Pasuria e një gjyqtari ‘milioner’ në skanerin e drejtësisë

Hetimi për fshehje pasurie dhe pastrim parash kundër gjyqtarit Alaudin Malaj, i cili kandidoi për një mandat të ri në krye të Gjykatës së Apelit të Tiranës, u mbyll nga prokuroria dhe gjykata duke lënë pas shumë pikëpyetje.


Me 14 shtator 2014, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj u padit në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë për Deklarimin, Kontrollin e Pasurisë dhe Konfliktin e Interesit, ILDKPKI.

Malaj akuzohej se kishte krijuar një skemë mashtruese ku përfshiheshin kompani në emër të familjarëve të tij dhe transaksione me pasuri të patundshme, për të mbuluar burimin e paqartë të pasurimit të tij të shpejtë.

Sipas ILDKPKI, Malaj kishte 60 mijë euro pasuri në vitin 2003, kohë kur zyrtarët publikë u detyruan të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre për herë të parë. Gati 11 vjet më vonë, familja e kryetarit të Gjykatës së Apelit llogaritet të ketë 1.7 milionë euro pasuri, e shpërndarë në pasuri të patundshme dhe kompani biznesi.

Pas një hetimi disa mujor Prokuroria e Durrësit i hodhi poshtë akuzat ndaj gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij Edlira Malaj.

Sipas aktit të pushimit të hetimeve të firmosur nga prokurorët Gëzim Veizi dhe Afrim Shehu, një kopje e së cilit është siguruar nga BIRN, gjatë hetimit të pasurisë së gjyqtarit nuk janë gjetur elementë të veprave penale për të cilat gjyqtari akuzohej.

Malaj i ka cilësuar akuzat e ngritura nga ILDKPKI si të motivuara politikisht dhe gjatë një interviste televizive është shprehur i “shokuar” me vendimin e Inspektoriatit për ta bërë publike pasurinë e tij.

Rivlerësimi i pasurisë

Alaudin Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare. Pasi ka përfunduar studimet në vitin 1993 ai është emëruar gjyqtar i shkallës së parë në Vlorë dhe më vonë si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë. Në vitin 2006 Malaj është transferuar nga Apeli i Vlorës në atë të Tiranës dhe në vitin 2012, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e emëroi kryetar të kësaj gjykate.

Sipas ILDKPKI, nga vitit 2003 deri në vitin 2014, pasuria e gjyqtarit u shumëfishua nga rreth 60 mijë euro në 1.7 milionë euro, falë një numri të madh transaksionesh të dyshimta në pasuri të patundëshme dhe fitime që kanë burim kompani në fushën e ndërtimit të regjistruara në emër të familjarëve të tij.

Në kallëzim e saj në Prokurori ILDKPKI ngre dyshime në lidhje më pasurinë e gjyqtarit, që variojnë nga llogari bankare të padeklaruara e deri në investime në kompani farmaceutike në Kosovë në vlerë qindra-mijëra euro. Megjithatë, gjatë hetimit të saj Prokuroria, shprehet që ILDKPKI e ka mbivlerësuar pasurinë e gjyqtarit dhe atë të familjes së tij.

Sipas një akt-ekspertimi kontabël të tre ekspertëve të thirrur nga organi i akuzës, Malaj ka një pasuri prej 28.9 milionë lekë, ndërsa bashkëshortja e tij Edlira Malaj ka një pasuri prej 53.7 milionë lekë. Në total ekspertët e Prokurorisë vlersojnë së familja Malaj ka një pasuri prej 82.6 milionë lekë; ndërsa detyrimet e tyre financiare në formë huaje ndaj bankave, familjarëve dhe miqve janë 38 milionë lekë.

“Pasuria e subjektit Alaudin Malaj dhe familjarëve të tij nga viti 2003 deri në vitin 2014, duke ju referuar dokumenteve të administruara nuk është në vlerën 240 milionë lekë (ose 1.7 milionë euro),” shkruajnë ekspertët kontabël të angazhuar nga Prokuroria.

“Në përllogaritjen e kësaj vlere nga ILDKPKI nuk është marrë në konsideratë koha e kryerjes së investimit dhe të pagesave të kryera duke denaturuar vlerën reale të pasurive, e për rrjedhojë nuk është marrë në konsideratë kosto historike e parave të investuara,” shtojnë ata.

Dyshimet për pasuritë e patundëshme

Megjithë rivlerësimin e pasurisë të familjes Malaj, kreu i Gjykatës së Apelit mbetet një nga gjyqtarët më të pasur në Shqipëri.

Në kallëzim penal ndaj gjyqtarit ILDKPKI rendit 20 fakte të dyshimta në lidhje me pasurinë e gjyqtarit. Këto dyshime janë hedhur poshtë nga prokurorët, kryesisht duke u bazuar në deklarimet e gjyqtarit, ato të familjarëve të tij dhe të afërmve, si dhe këqyrjes së dokumenteve të vënë në dispozicion nga familja Malaj.

Edhe pse gjyqtari jeton në një nga pallatet më të shtrenjta në Tiranë, Malaj ka deklaruar para prokurorëve që ai nuk ka arritur të mobilojë tërësisht shtëpinë ku jeton.

Sipas Prokurorisë gjyqtari jeton në kullën TID, pranë liqenit artificial të Tiranës, ku zotëron një apartament dupleks  me sipërfaqe 283 metra katrorë, të blerë në vitin 2013 për një vlerë prej 21.5 milionë lekë.

ILDKPKI pretendon se ky apartament sipas çmimeve të tregut kushton deri në 70 milionë lekë, duke e akuzuar gjyqtarin për deklarim të rremë.  Inspektoriati nënvizon që apartamenti është deklaruar me vlerën 442 euro/m2, ndërkohë që çmimi i blerjes në këtë pallat varion nga 800 euro/ m2 deri në 2000 euro/ m2.

Gjatë hetimit të pasurisë në fjalë, prokurorët kanë administruar praktikën e kontratës së shitblerjes si dhe kanë marrë deklarimet nga shtetasi Behar Male, administrator i firmës së ndërtimit T.I.D. sh.p.k, e cila ka ndërtuar dhe apartamentin.

Male jep një shpjegim të pazakontë për vlerën e ulët të apartamentit. Sipas tij, gjyqtari Alaudin Malaj ka shprehur interes për ta blerë tek objekti përpara se ai të ndërtohej në vitin 2003-2004. Edhe pse pallati është ndërtuar më vonë dhe apartamenti është shitur në vitin 2013, çuditërisht i është shitur gjyqtarit Malaj me çmimet e tregut në vitin 2003.

“Në ato kohë çmimet varionin nga 400-450 USD/m2. Leja është dhënë në 2006 dhe për njërin seksion që në atë kohë filluam me lidhjen e kontratave. Konkretizimi i kontratës me shtetasin Alaudin Malaj është bërë në 2010 dhe çmimi është llogaritur 500 euro/m2, sipas çmimit të rënë dakord në 2004,” i tha Male prokurorisë.

Ndershmëria e transaksionit për blerjen e dupleksit në kullën T.I.D, ëshë vetëm një nga transaksionet në pasuri të patundëshme nga familja Malaj për të cilën ILDKPKI pati ngritur dyshime. Nga viti 2005 deri në vitin 2010, gjyqtari nuk ka deklaruar apartament në pronësi të tij, përveç një apartamenti në rrugën Dora D’Istria në Tiranë, të cilin e ka dhënë vazhdimisht me qira në shuma të mëdha. Malaj i ka thënë prokurorëve që gjatë kësaj periudhe ka jetuar në një apartament në rrugën Ymer Kurti në Tiranë, me prindërit.

Sipas kallëzimit të ILDKP, Malaj ka blerë gjashtë apartamente në Tiranë dhe Durrës përgjatë viteve 2003-2014, ndërsa babai i tij i ka dhuruar bashkëshortes Edlira Malaj dy apartamente të tjera.

Një nga apartamentet në fshatin Golem në Durrës është blerë për një vlerë 21 mijë euro në ‘cash’ nga shoqëria Gora Sh.p.k në kompleksion Xhiardino me sipërfaqe 70.4 m/2, dhe është shitur pas një viti për vlerën  31 mijë euro. ILDKPKI e konsideron të dyshimtë këtë transaksion sepse është bërë me para në dorë, ndërsa Malaj shprehet se pagesa është bërë në këtë formë pasi kontrata fillestare ishte “kontratë porosie dhe jo shitblerje.”

Deklarimet e Malajt janë mbështetur dhe nga administratori i Gora Sh.p.k, Rrapush Hoxholli, i cili ka deklaruar se pagesa për apartamentin është bërë në vitin 2008 dhe 2009, në pesë këste në para në dorë. Hoxholli është një biznesmen kontrovers, i arrestuar me 28 tetor 2015 me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda. Të dhënat nga Gjykata e Apelit tregojnë që gjyqtari Alaudin Malaj ka gjykuar një numër çështjes që kanë pasur palë të paditur biznesmenin e ndërtimit dhe kompaninë e tij Gora Sh.p.k.

Malaj është përfshirë në transaksione imobiliare edhe me të paktën një të pandehur tjetër që është gjykuar në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Në vitin 2014, ai i ka shitur shtetasit Rakip Roli një shtëpi një katëshe për vlerën 150,000 euro, pasi e kishte blerë në vitin 2011 për 35 mijë USD. Roli është arrestuar dhe akuzuar për plagosje të rëndë me dashje në vitin 2011. Akuzat kundër tij janë hedhur poshtë përfundimisht nga një vendim i Gjykatës së Apelit në Tiranë në 20 Mars 2013. Malaj nuk ka qenë pjesë e trupi gjykues.

ILDKPKI në kallëzimin kundër Malajt pretendon gjithashtu se ka zbuluar një skemë të dyshimtë transfertash edhe me apartamentet që babai i gjyqtarit i ka dhuruar bashkëshortes së tij. Njëri prej tyre është blerë nga Hasan Malaj për 61 mijë euro në vitin 2006 dhe i është dhuruar Edlira Malajt në vitin 2012. Në vitin 2014, ajo ia shet këtë apartament të vëllait Erjon Galanxhi për 120 mijë euro.

“Këto transaksione, fillimisht blerje dhe më pas dhurim dhe shitje brenda familjes janë veprime tipike të pastrimit të produkteve penale,” thuhet në kallëzimin e Inspektoriatit.

Megjithatë, edhe ky pretendim i ngritur nga ILDKPKI është hedhur poshtë nga Prokuroria, e cila i ka cilësuar burimin e parave të Hasan Malajt dhe të kunatit të gjyqtarit, Erjon Galanxhi, si legjitime dhe të justifikuara. Hasan Malaj ka deklaruar se burimi i të ardhurave për blerjen e apartamenteve ka ardhur nga aktiviteti privat i tij në fushën e ndërtimit. Sipas Prokurorisë nga vlera e shitjes së apartamentit prej 120,000 euro, shtetasi Erjon Okjan Galanxhi, i ka paguar së motrës Edlira Malaj shumën prej 90,000 euro, dhe pjesën tjetër do ta paguaj më vonë sipas kontratës. Prokuroria nuk jep shpjegime për burimin e pasurisë së Galanxhit.

Nga korrespondenca që ILDKPKI ka pasur me OSHEE ka rezultuar se ka 9 kontrata energjie në emër të Alaudin Malajt dhe bashkshortes së tij Edlira Malaj, që sipas Inspektoriatit mund të qëndrojnë objekte të padeklarura. Por sipas një shkrese të OSHEE-së të datës 22.10.2015 dhe këqyrjeve të Prokurorisë me datë 10.12.2015 bashkëshortët Malaj kanë vetëm 5 kontrata për furnizim me energji elektrike. Mbetet e pasqaruar diferenca midis dy shkresave të OSHEE për Prokurorinë dhe ILDKPKI.

Huatë nga familjarët, miqtë dhe biznesi

Erjon Galanxhi, i cili ka blerë një apartament me vlerë 120,000 euro nga e motra Edlira Malaj, nuk ka ngurruar ta ndihmojë këtë fundit dhe të shoqin me hua pa interes në disa raste.

Sipas ILDKPKI ky shtetas i ka dhënë 7,000 euro hua Alaudin Malajt në vitin 2004 për blerjen e një automjeti tip Volsvagen, për të cilat gjyqtari nuk shprehet asnjëherë në deklarimet e pasurisë së ardhshme, gjatë viteve 2005-2014.

Gjithashtu në vitin 2013 Galanxhi së bashku me të shoqen Fatbardha i kanë dhënë 11,800 euro hua Edlira Malajt për blerjen e një zyre noterie.

Sipas deklarimeve të dhëna nga Galanxhi në Prokurori shuma prej 7,000 eurosh për blerjen e makinës i është kthyer nga e motra pas më shumë se 10 vjetësh, më 21 tetor 2015, pas kallëzimit penal në prokurori nga ILDKPKI.

Galanxhi i cili punon prej 5 vjetësh në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, ka deklaruar që shuma që i ka dhënë së motrës për blerjen e studios noteriale vjen nga shitja e një pasurie të paluajtshme nga i ati Okjan Galanxhi në Gjirokastër në vitin 2008, me vlerë 3.4 milion lekë si dhe të një apartamenti në vitin 2006 me vlerë 45,000 euro.

Përveç parave hua nga kunati, Malaj ka marrë dhe një shumë prej 2.85 milionë lekë hua nga i ati Hasan Malaj në vitin 2004 që nuk është kthyer kurrë.

Çifti Malaj nuk ka marrë hua vetëm nga familjarët por edhe nga miqtë. Dhe përkatësisht në vitin 2013 Alaudin Malaj ka marrë një kredi prej 10,000 euro na miku i tij Arjan Tartari, ndërsa bashkëshortja Edlira Malaj ka marrë një kredi prej 15,000 euro nga e njohura e saj Majlinda Maqellari.

Përveç kredive nga individë, Edlira Malaj ka dhënë dhe marrë hua nga me kompanitë në pronësi të familjes. Ajo ka listuar në deklarimet e saj të pasurisë një hua prej 13.9 milion lekë nga kompania e ndërtimit Algan Sh.p.k dhe 1.5 milionë lekë nga shoqëria Rigers Sh.p.k. Ndërkohë Zonja Malaj i ka dhënë një kompanie në pronësi të saj në Kosovë 35 milionë lekë kredi.

Bizneset e familjes

Rrethi i ngushtë familjar i gjyqtarit Alaudin Malaj zotëron pesë kompani biznesi; Algan sh.p.k-kompani ndërtimi e themeluar në vitin 1998, Lili sh.p.k për tregtinë e ujit e vitit 2002, Rigels sh.p.k-kompani ndërtimi e themeluar në të njëjtin vit, një zyrë noterie e hapur në Tiranë në vitin 2013 nga Edlira Malaj dhe Medbrand KS-një kompani paisjesh mjeksore e themeluar në tetor të vitit 2014 në Prishtinë.

Kompania më e madhe nga të pesta rezulton Algan Sh.p.k, e cila sipas ekspertëve kontabël të Prokurorisë ka realizuar një xhiro prej 988 milionë lek (7.1 milion euro) dhe fitim prej 264 milionë lekë nga viti 1998 deri në vitin 2014 – nga të cilat 32.8 milionë lekë janë shpërndarë si divident për aksionerët. Nga ky divident ortakja Edlira Malaj ka përfituar 12.1 milionë lekë.

Prokuroria ka administruar nga Drejtoria e Tatimeve Vlorë dhe bilancet vjetore të kompanisë tjetër të ndërtimit në pronësi të familjes Malaj, Rigers Contruction, e cila nga viti 2002 deri në vitin 2014 ka regjistruar një fitim prej 8.7 milionë lekë.

Fitimet e larta të regjistruara nga zyra e noterisë në pronësi të Edlira Malaj, e kanë vënë këtë biznes nën projektorët e ILDKPKI dhe Prokurorisë. Sipas ILDKPKI fitimet e kësaj zyre noterie janë shumë të larta për një aktivitet të tillë. Sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, qarkullimi bruto i studios së noterisë ka qenë 25.3 milionë lek në 2013 dhe 14 milionë lek në 2014. Prokuroria ka verifikuar të dhënat nga Tatimet dhe regjistri i përgjithshëm i akteve noteriale duke arritur në përfundimin që burimi i këtyre të ardhurave ka qenë legjitim dhe rrjedh nga aktiviteti tregtar.

Dyshime për ILDKPKI ka ngritur dhe kompania e paisjeve mjekësore Medbrand KS, e hapur nga zonja Malaj në Prishtinë. Inspektoriati ka dyshuar që pas kësaj kompanie fshihet një skemë pastrimi parash, pasi Edlira Malaj i ka dhënë një kredi prej 300,000 euro. Por megjithatë Prokuroria shprehet që burimi i këtyre parave është i ligjshëm, pasi 250,000 janë transferuar nga Edlira Malaj dhe 50,000 euro nga shoqëria Rigers Contrstruction.

“Këto shuma kanë kaluar nëpër llogari bankare sipas ligjit dhe jo cash, duke identifikuar në mënyrë të qartë prejardhjen e tyre,” Prokuroria shprehet.

Fakti nuk ekziston

Me fillim të muajit mars Këshilli i Lartë i Drejtësisë shqyrtoi dhe hodhi poshtë kandidaturën e gjyqtarit Alaudin Malaj për një mandat të dytë në krye të Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Gjatë paraqitjes së kandidaturës së tij për në Këshilline Lartë të Drejtësisë, gjyqtari Alaudin Malaj, ka komentuar dhe padinë e bërë ndaj tij nga ILDKPKI, duke nënvizuar që ajo ka pasur qëllim vetëm denigrimin e figurës së tij.

“Të gjithë janë thirrur në ILDKP, kanë dhënë shpjegime, pastaj iu është bërë kallëzimi. Rasti im ishte tipik hapur direkt në media, thjesht për të denigruar figurën time,” është shprehur Malaj. “Gjithsesi e mora me qetësi. U paraqita pranë organeve të hetimit, me një hetim 4-mujor. Nuk u hetova vetëm unë, u hetua edhe gjyshi im dhe mbas kësaj u vendos pushimi i çështjes,” ai shtoi, duke i këshilluar gjyqtarëve të tjerë që përballen me një situatë të ngjashme që të mos shqetësohen për paditë e ILDKPKI.

Gjatë dëgjesës në KLD, Malaj ka zbuluar gjithashtu që ai nuk është mjaftuar me pushimin e hetimeve të bërë nga Prokuroria e Durrësit, por e ka apeluar këtë vendim në gjykatë e cila sipas tij ka vulosur përfundimisht pafajësinë për akuzat që i janë ngritur.

“Sot që flasim bashkë unë s’isha dakord me pushimin e çështjes për dispozitën ligjore që është pushuar çështja. Sot që flasim bashkë, Gjykata e Rrethit Durrës ka pranuar kërkesën time dhe është pushuar çështja ime sepse fakti s’ekziston,” është shprehur Malaj.

“Por çfarë do të thotë mes nesh fakti s’ekziston? Mes nesh fakti s’ekziston do të thotë se kallëzimi që është paraqitur ka qenë totalisht jo real dhe i pavërtetë,” përfundoi ai.       /reporter.al



Ju sugjerojmë

Ori Nebiaj kritike ndaj PD: Riciklohen të njëjtat fytyra
-U tha në Opinion

Ori Nebiaj kritike ndaj PD: Riciklohen të njëjtat fytyra

15 Maj, 2025 10:51 pm
Sejamini parashikon zgjedhje të parakohshme në Tiranë
-U tha në Opinion

Sejamini parashikon zgjedhje të parakohshme në Tiranë

15 Maj, 2025 10:41 pm
Vota e diasporës dhe zarfet e ardhur nga Greqia, Balla sqaron se çfarë ka ndodhur
-U tha në Opinion

Vota e diasporës dhe zarfet e ardhur nga Greqia, Balla sqaron se çfarë ka ndodhur

15 Maj, 2025 10:28 pm
Zelensky mbërrin në Tiranë, pritet në aeroport nga ministri Vengu
Kryesore

Zelensky mbërrin në Tiranë, pritet në aeroport nga ministri Vengu

15 Maj, 2025 10:19 pm
Begaj takim me Costën: Populli shqiptar mbështet anëtarësimin e vendit në BE
Kryesore

Begaj takim me Costën: Populli shqiptar mbështet anëtarësimin e vendit në BE

15 Maj, 2025 10:15 pm
Parashikoi votën e diasporës që në Janar, Fevziu-Ballës: Tani je fiks për akuzë…
-U tha në Opinion

Parashikoi votën e diasporës që në Janar, Fevziu-Ballës: Tani je fiks për akuzë…

15 Maj, 2025 10:04 pm
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe krerët e BE-së, darkë informale në Tiranë
Kryesore

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe krerët e BE-së, darkë informale në Tiranë

15 Maj, 2025 9:46 pm
Qato tregon në ‘Opinion’ kufizimet për samitin: Nuk hyn as makinë e as këmbësor!
-U tha në Opinion

Qato tregon në ‘Opinion’ kufizimet për samitin: Nuk hyn as makinë e as këmbësor!

15 Maj, 2025 9:35 pm
Berisha në Bruksel: Mora mbështetje nga partitë anëtare të IDU për rikthimin e …
Politikë

Berisha në Bruksel: Mora mbështetje nga partitë anëtare të IDU për rikthimin e …

15 Maj, 2025 9:11 pm
Aksion policor në Korçë/Dy persona në prangat e policisë, priten disa urdhër-arreste
Aktualitet

Aksion policor në Korçë/Dy persona në prangat e policisë, priten disa urdhër-arreste

15 Maj, 2025 8:41 pm
Para
A shkoi Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri sot në punë?

A shkoi Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri sot në punë?

Meta: Të ndryshojë ligji, koncensionet të kalojnë në Parlament, s’mund të vendosë Qeveria

Koment/ Ne dhe emigrantët

Albana Osmani me Veliajn për autizmin. Tiço: Lironi rrugët!

Albana Osmani me Veliajn për autizmin. Tiço: Lironi rrugët!

Please login to join discussion















TE FUNDIT

Ori Nebiaj kritike ndaj PD: Riciklohen të njëjtat fytyra

Ori Nebiaj kritike ndaj PD: Riciklohen të njëjtat fytyra
15 Maj, 2025

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit, kanë ngjallur zhgënjim dhe mosbesim tek selia blu. Humbja e opozitës ka nxitur shumë...

Lexo më shumë

Sejamini parashikon zgjedhje të parakohshme në Tiranë

Sejamini parashikon zgjedhje të parakohshme në Tiranë
15 Maj, 2025

Analisti Neritan Sejamini u shpreh në emisionin “Opinion” këtë të enjte se opozita duhet të reflektojë. Sipas tij, pavarësisht rezultatit...

Lexo më shumë

Vota e diasporës dhe zarfet e ardhur nga Greqia, Balla sqaron se çfarë ka ndodhur

Vota e diasporës dhe zarfet e ardhur nga Greqia, Balla sqaron se çfarë ka ndodhur
15 Maj, 2025

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla ishte mbrëmjen e sotme në një lidhje për emisionin ‘Opinion’, ku...

Lexo më shumë

Zelensky mbërrin në Tiranë, pritet në aeroport nga ministri Vengu

Zelensky mbërrin në Tiranë, pritet në aeroport nga ministri Vengu
15 Maj, 2025

Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, mbrëmjen e sotme ka mbërritur edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com