Parlamenti i Malit të Zi ka votuar mbrëmjen e djeshme Ligjin për flamurin dhe simbolet kombëtare shqiptare.
Ky ligj është hartuar nga Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Malin e Zi, Mehmed Zenka dhe pritet që të rregullojë të drejtat e shqiptarëve në përdorimin e flamurit dhe simbolet kombëtare.
Përpos aprovimit të Ligjit për Simbolet Kombëtare, i cili e garanton përdorimin e lirshëm të flamurit shqiptar, është fshirë Neni 23 i Ligjit për Rëndin dhe Qetësinë Publike përmes të cilit sanksionohej përdorimi i flamurit shqiptar.
Mali i Zi që në vitin 2008, bazuar në dispozitat kushtetuese dhe Ligjit mbi të Drejtat dhe Liritë e Popujve Pakicë për periudhën 2008-2018, ka aprovuar Strategjinë e Politikave të Pakicave Kombëtare, si dokument themelor i planifikimit që përcakton politikën e Qeverisë së Malit të Zi në fushën e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të popujve pakicë, gjegjësisht obligimin e organeve shtetërore për krijimin e kushteve për përmirësimin dhe avancimin e kushteve jetësore në të gjitha sferat e saja,gjatë zbatimit të dokumentit. /Opinion.al