Policia ka asgjësuar në fshatin Tejdrinë, Kukës 143 bimë narkotike cannabis sativa.
Uniformat blu bëjnë me dije se kanë shpallur në kërkim 4 familjarë, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Në gjendje të lirë është proceduar 1 familjar tjetër, për moskallëzim krimi.
Po ashtu ka nisur hetimi për kryeplakun e fshatit dhe inspektorin e pyjeve, për moskallëzim krimi dhe për shpërdorim detyre.
“Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e punës së inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar, të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë gjetur të mbjella në fshatin Tejdrinë, 143 bimë narkotike.
Nga hetimet e kryera janë identifikuar autorët e dyshuar të këtij rasti kultivimi, shtetasit L. M., 49 vjeç, N. M., 44 vjeç (vëllezër), si dhe djemtë e 49-vjeçarit, shtetasit A. M., 23 vjeç dhe L. M., 25 vjeç, banues në fshatin Tejdrinë. Vijon puna për kapjen e tyre.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik dhe një sasi municioni luftarak.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit, shtetasin T. M., dhe për shtetasin M. M. (vëllai i shtetasve N. M. dhe L. M.) për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, si dhe për inspektorin e pyjeve, shtetasin A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.