Një 17-vjeçare shqiptare e cila do të udhëtonte drejt Francës për një stazh nuk është pranuar nga kompania ajrore “EasyJet” në Malpensa të Italisë.
Vajza nuk është lejuar që të fluturojë sëbashku me shokët e saj të shkollës, për shkak të dokumenteve. “Na vjen keq por dokumentet e udhëtimit janë të pavlefshme”, kështu i kanë thënë vajzës duke e detyruar të zbresë në tokë.
17-vjeçarja do të udhëtonte me avionin e kompanisë Easyjet në orën 11:45 të së premten nga Milano drejt Bordeaux në Francë.
31-studentëve të tjerë të Capirola, Shkolla e Shëndetit Social në Ghedi iu lejua udhëtimi, ndërsa vajza shqiptare u la e vetme në aeroport.
Babai i saj Luan Shaipi i cili e dërgoi vajzën deri në Francë me makinë, tha se nuk kishin patur asnjë problem në dogana.
“Dokumentet janë në rregull, ne kemi leje që në vitin 2010. Vajza i ka dhënë stjuardesës edhe pasaportën që e kemi rinovuar në Maj. Me lejen e policisë ne kemi udhëtuar në shumë destinacione,”ka thënë ai. /Tv Klan