Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka bërë të ditur lajmin se Milan Radoiçiç është dorëhequr nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.
Në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll TV Espanyol, ai ka deklaruar se: “Radoiçiç nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Listën Serbe”.
Nga ana tjetër, ai tha se e sheh Listën Serbe si “luftëtarë të lirisë” dhe se të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë e mendojnë të njëjtën gjë.
Ndër të tjera, presidenti serb e cilësoi situatën në Kosovë si shqetësuese.
“Nuk e di nëse ajo që ndodhi ishte një pikë kthese. Jam shumë i shqetësuar sepse e di sa agresivë janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Sidomos kur besojnë se kanë shumë mbështetje nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe kjo më shqetëson dhe më tremb”, tha ai.
Autoritetet në Prishtinë e lidhin Milan Radoiçiçin me të shtënat në Banjska, si organizator i sulmit dhe policia e Kosovës ka bastisur sot vilën ku ai jeton.