Aleksandër Çela, drejtor i Mjedisit në Korçë, është ndaluar nga policia italiane rreth një javë më parë dhe dyshohet si organizator i trafikut njerëzor, raporton portali CityNews.
Aleksandër Çela ka qenë kryetar i komunës Dardhë, i shkarkuar nga Berisha në 2011 pasi fshehu të ardhurat. Emri i tij vjen sot sërish në vemendje. Ai dyshohet se është kapur në Itali dhe akuzohet për trafik të klandestinëve sirianë.
Aktualisht Çela mbante postin e drejtorit të Mjedisit në qarkun e Korçës dhe ishte edhe këshilltar bashkiak i Pogradecit, i zgjedhur nga një parti aleate e socialistëve. Në fakt, Aleksandër Çela, është drejtues dhe militant i PS-së në Qarkun e Korçës, por kandidimi nga një parti e vogël ka ardhur thjesht dhe vetëm për të marrë mandatin e këshilltarit.
Pas lajmit në Citynews nuk ka asnjë reagim nga Qeveria apo Ministria e Mjedisit.
Referuar gjithnjë lajmit të botuar në Citynews, zyrtarët e Partisë Socialsite sapo kanë mësuar ndalimin e tij në Itali, kanë bërë në fshehtësi të plotë shkarkimin Aleksandër Çelës nga posti që mbante në Korçë. Nga ana tjetër, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, pak ditë më parë, është lexuar deklarata e dorëheqjes nga mandati i këshilltarit i Aleksandër Çelës.