Kanë nisur punimet për shtrimin e linjës 400 KV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
E ftuar në aktivitet, zv.kryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka thënë se kanë arritur dhe një marrëveshje me Italinë për ndërtimin e transmetimit energjetik mes Shqipërisë dhe Italisë.
Sipas saj pritet që në vitin 2024 të bëhet një studim fizibiliteti që do i hapë rrugën një marrëveshje financiare mes dy vendeve Shqipëri-Itali, duke përmbyllur kështu korridorin e tetë energjetik.
“Kemi arritur një marrëveshje me Italinë pasi kemi pasur një bisedë intensive me operatorët italianë për të ndërtuar tashmë linjën e transmetimit energjetik mes Shqipërisë dhe Italisë.
Është një linjë nënujore. Sot operatori ynë i transmetimit ka arritur që të ngre një grup pune së bashku me italianët për të pasur brenda vitit 2024 një studim fizibiliteti konkret i cili do i hap rrugën një marrëveshje financiare mes dy vendeve tona, duke përmbyllur kështu korridorin e tetë energjetik, që do të lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”,-tha ajo.