Zona e Bregut të Lumit është e rrethuar nga forca të shumta policie, ndërsa pas përplasjeve me banorët ka nisur prishja e banesave.
Policia ka larguar nga banesat e tyre me forcë të gjithë qytetarët, duke lejuar kështu fadromat që të nisin prishjen.
Nga përplasja me policinë tre banorë kanë mbetur të lënduar, ndërsa më rëndë është 76-vjeçari Uzur Mandari, i cili i është nënshtruar një operacioni.
“Një burrë është në operacion. 6 të tjerë janë shoqëruar, një gruaje i është thyer këmba. Është e paprecedentë ajo që po ndodh në këtë zonë, është e paprecedentë dhuna që po ndodh. Dje zonjat që mbrojtën pronat e tyre, sot janë rrahur. Fëmijët janë zgjuar të dhunuar”, tha ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Banorët thonë se këto banesa janë përjashtuar nga skema e dëmshpërblimit dhe iu është ndërprerë procesi i legalizimit. Sipas banorëve, para se të vijohet me projektin e zgjatimit të Bulevardit të Ri duhet të dëmshpërblehen./Opinion.al