TIRANE – Deputetja e qarkut Shkodër, Mimoza Hafizi, pedagoge në Shkencat e Natyrës, është deklaruar pro Ben Blushit. Në një status në Facebook një ditë pas mbledhjes së grupit të PS, ajo thotë se duhet respektuar statuti i Partisë.
Deklarata e plotë e Hafizit në Facebook
Miq të nderuar!
I bashkohem kolegut tim Ben BLUSHI në kërkesën për respektimin dhe zbatimin e statutit të Partisë Socialiste e normave themelore të qënies bashkë në këtë grupim të madh politik. I kam ofruar mbështjetje në rrugëtimin dhe platformën për Kongresin e ardhshëm të Partisë.
Do mundohem të përcjell në këtë dokument dhe në aspiratat tona për të ardhmen e partisë ku bëjmë pjesë, të gjithë përvojën e punës sime shumëvjeçare me strukturat socialiste të Tiranës e Shkodrës, zërin kritik të socialistëve shkodranë, analizat e përgjegjshmërisë qeverisëse deri në nivel bazë dhe reflektimet për një frymë të re bashkëpunimi e respekti.
Mirëpres çdo sugjerim, besoj që kauza e një partie të madhe nuk i përket vetëm antarëve të saj, por çdo qytetari.