Sërish sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në orën 11:00 në përpjekjen e 37-të për të tentuar konsitutimin e saj. Ky është një proces që vazhdon të bllokohet për shkak të mospajtimeve rreth zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit.
Kandidatura e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, është kundërshtuar nga të gjitha partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. VV ka tentuar të shtyjë përpara një ndryshim të mënyrës së votimit, duke propozuar votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit, por edhe ky propozim po has në kundërshtim.
Asnjëra nga partitë opozitare nuk ka propozuar anëtarë për Komisionin që do të mundësonte këtë formë votimi. Si pasojë, çdo herë që kjo çështje është hedhur në votim, nuk është arritur kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje. Në seancën e fundit, me vetëm 53 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim, nuk u arrit kuorumi, duke e lënë Kuvendin të pakonstituuar për të 36-ën herë me radhë.