Mimi Kodheli hyri në studion e programit “Rudina” në Tv Klan me një kek në dorë dhe vezët e kuqe të Pashkës, duke vijuar atmosferën e festës së krishterë. Një ngjarje që ka përkuar edhe me largimin nga jeta të Papa Françeskut më 21 prill, menjëherë pasi ai u shfaq të dielën për të uruar besimtarët.
Duke e nisur bisedën menjëherë me këtë ngjarje, Kodheli kujtoi dy takimet e saj me Papa Françeskun. Ajo vuri theksin te largimi i tij nga jeta në një datë kaq të rëndësishme që duket sikur vijon transmetimin e mesazheve të paqes dhe dashurisë të cilat ai u kujdes t’i përcillte përgjatë gjithë jetës.
Mimi Kodheli: Unë kam pasur fatin e madh ta takoj dy herë, një herë në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes dhe një herë në një aktivitet që u organizua nga ambasada shqiptare në Vatikan ku morën pjesë disa shqiptarë të shquar të cilët dhanë një koncert për Papën dhe ai shtroi një pritje për shumë shqiptarë të famshëm në botë dhe jo vetëm. Ishte një ngjarje e rëndë ajo e djeshmja sepse nuk pritej, një ditë më përpara kishte dalë në ballkon dhe kishte uruar të krishterët në mbarë botën për Pashkët. Në fakt ndodhi ajo që në moshën e tij mund të pritej, por jo pikërisht në atë moment. Fakti që largohet nga jeta në botën e përtejme në një datë kaq të rëndësishme flet shumë, mbase ishte vërtet një njeri, një Atë i Shenjtë i dërguar për të transmetuar mesazhe paqeje. Ne duhet të jemi shumë më të vëmendshëm ndaj gjithë atyre njerëzve që dinë të flasin për paqen, dinë të bashkojnë shpirtra, dinë të bashkojnë njerëz, botë të ndryshme që në fakt duken të ndryshme, por besoj që në thelb çdo njeri është njësoj pavarësisht se kujt religjioni, kujt feje i përket dhe kjo është një gjë që duhet menduar shpesh, duhet bërë e jotja, duhet pranuar si e tillë. Nuk ka kërthiza të botës, nuk ka disa të mirë dhe disa jo të mirë, nuk ka qytetarë të kategorisë së parë dhe kategorisë së dytë, ne jemi të gjithë njerëz të Perëndisë do të thoshin rëndom shqiptarët ose në zhargonin tonë të përditshëm dhe kështu është në fakt kështu që mesazhet që ai ka përcjellë, transformimet që ai i ka bërë Kishës Katolike janë të një rëndësie të veçantë dhe duhet mbajtur parasysh edhe kur flitet për gjeopolitikën e madhe./tvklan.al