“Bashkia nuk mund të jetë thjesht një institucion demografik, por kërkon lidership politik e organizativ, ku roli i kryetarit të bashkisë të ndihet”. Kështu u shpreh Ervin Demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.
Gjatë konferencës për shtyp, Demo tha se mungesa e kryebashkiakut Erion Veliaj është e ndjeshme për shkak të natyrës së vetë institucionit dhe rolit të kryetarit, ndërsa shtoi se ka pasur përpjekje nga bashkia për tejkalimin e kësaj periudhe.
“Patjetër që shumë! Bashkia për vetë natyrën që ka dhe aq më tepër, për rolin që kryetari i bashkisë ka, patjetër që është aty për të drejtuar në qytet dhe merr besimin e qytetarëve.
Nëse do ta minimizonim këtë, nuk do të kishim nevojë për kryetar bashkie, por çdo komunitet, jo vetëm në Shqipëri, edhe në vende të cilat nuk kanë sistem demokratik, ka nivel vendor. Edhe nëse janë të emëruar, bëhen drejtues ose liderë të një komuniteti.
Roli i kryetarit të bashkisë duhet të ndihet. Bashkia është munduar të krijojë kushtet që këtë periudhë sfiduese ta kalojë në mënyrë të menaxhueshme në të mirën e qytetarëve që shërbimet mos të mungojnë, cilësia e shërbimeve mos të bjerë dhe investimet të vazhdojnë përpara. Bashkia nuk mund të jetë thjesht institucion demografik, kërkon edhe lidership politik e organizativ dhe në këtë kontekst, roli i kryetarit të bashkisë, ndihet”, u shpreh ai.
















