Muhamedi (a. s.) i ofroi njerëzisë kyçin e suksesit në çdo sferë të jetës, çelësin për një jetë të rehatshme dhe sukses në të dy botët; ai ishte shembull i gjallë i moralit të lartë, ai i caktoi rregullat e një sistemi legjislativ e gjyqësor të pashembullt, caktoi ligjin që ishte i drejtë ndaj të gjithëve, shpalli kushtetutën e parë të njerëzimit
Gjuhët e njerëzve janë të pafuqishme të shprehin gjithë atë që frymëzon vepra muhamedane, kështu që çdo studim është i pakët për të shprehur pikat që i përmbledh vepra e Pejgamberit tonë të dashur, pika këto që nuk lënë segment, sado të imët, pa përmbledhur e pa përfshirë nën ombrellën gjigante të mirësisë, solidaritetit, dashurisë, tolerancës, shpresës, mëshirës, shpirtdëlirësisë, fatbardhësisë, jetës së rehatshme, të ardhmes së sigurt, të djeshmes pa brenga për pasojat e të nesërmes. Dija e tij ka përfshirë të gjithë lëmenjtë e mundshëm. Edhe pse, fillimisht, pati të atillë që e përcillnin me dyshim veprimtarinë e Tij, madje pati edhe të atillë që e quanin gënjeshtar, që e akuzonin për magjistar, megjithatë pati fuqinë e shenjtë, si dhe të gjitha kapacitetet e mundshme, për t’i bindur me argumente e fakte të pamohueshme.
Plot 13 vite Muhamedi (a. s.) u mundua, u torturua, mbi vete mbajti mbeturina të devesë, fyerje të panumërta, çdo rast në rrethin e afërm të tij e shfrytëzonin që ta shigjetojnë personalitetin e Tij të pastër e të mbrojtur nga vetë Zoti. Sepse, Zoti nuk i dënon pejgamberët e vet, kështu që edhe për zotërinë e të dërguarve, mendjen më të ndritur të historisë së njerëzimit, pati ditë me diell, dhe si vulë e pejgamberëve, ai arriti ta shihte fenë që predikonte se si përqafohej nga njerëz që hynin në të grupe-grupe. E, për ta arritur këtë sukses, atij iu nevojit ndihma e jethribasve, të cilëve vetë Zoti ua jep epitetin “ensarë”. Me ndihmën e tyre u themelua shteti i parë islam. Kuptohet që në fillet e lindjes ishte vetëm një qytet-shtet, por më vonë, në kohën e Pejgamberit e më vrullshëm në kohën e Kalifëve të drejtë, që ndiqnin mësimet e Muhamedit (a. s.) në çdo frymëmarrje dhe për të cilët vdekja në rrugë të Zotit ishte më e dashur se jeta nën kthetrat e frikës, u zgjerua dhe u forcua, saqë në kohën e Umerit (r. a.) ai ndaloi punimin e tokës dhe të gjithë myslimanëve të aftë u caktoi pagë nga arka e shtetit që të luftojnë në rrugë të Allahut. Myslimanët sa vinin e shtoheshin, andaj filluan t’i drejtojnë sytë kah oksidenti, dhe me ndihmën e të Gjithëfuqishmit arritën deri në Gadishullin Pirinej dhe atë Apenin.
Pra, Muhamedi (a. s.) i ofroi njerëzisë kyçin e suksesit në çdo sferë të jetës, çelësin për një jetë të rehatshme dhe sukses në të dy botët; ai ishte shembull i gjallë i moralit të lartë, ai i caktoi rregullat e një sistemi legjislativ e gjyqësor të pashembullt, caktoi ligjin që ishte i drejtë ndaj të gjithëve, shpalli kushtetutën e parë të njerëzimit, dijes i dha vlerën që kishte humbur në shtresat e injorancës, gruas i dha të drejtën që ia kishin mohuar duke e varrosur të gjallë, shoqërisë ia tregoi rrugën e daljes nga degjenerimi i paskrupullt, robërit i çmoi duke u dhënë të drejta, edhe pse ishin robër, veç asaj si shpagim për gabimet e bëra çdoherë në radhë të parë urdhëroi lirimin e robit.
Prandaj, Allahu ((xh. sh.)) i thotë: “Me të vërtetë ti je në piedestalin më të lartë të moralit.” (68.4.)
Biografia e Muhamedit (a. s.)
Muhamedi (a. s.) u lind më 12 Rebiul-Evvel/ 20 prill në vitin 571, sipas disa burimeve 570. U lind në Mekë, në Gadishullin Arabik nga babai Abdullah dhe nëna Emine. Rrjedh prej familjes Benu Hashim (Hashimij), që ishte një nga degët kryesore të fisit të fuqishëm Kurejsh. Gjyshin e Muhamedit (a. s.) e kanë quajtur Abdulmutalib, të parët e të cilit ishin Hashimi dhe i ati Abdulmenafi, të cilët rridhin nga Ismaili (a. s.). Abdulmutalibi ishte ai që e riaktivizoi pusin e Zemzemit. Pas kësaj ngjarjeje Abdulmutalibit i lindën 10 djem, ndër të cilët edhe Abdullahu, babai i të dërguarit tonë.
Muhamedi (a. s.) është fryt i lutjes së Ibrahimit (a. s.), i cili pasi e ndërtoi Qabenë iu lut Allahut (xh. sh.), e kjo përshkruhet në suren Bekare, ajeti 29, ku thuhet: “O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti”.
Babai i Muhamedit (a. s.) ka qenë tregtar dhe njëherë, duke u kthyer prej një udhëtimi nga Siria, në Jethrib është sëmurë dhe ka ndërruar jetë. Kjo ka ngjarë dy muaj para lindjes së Muhamedit (a. s.).
Sipas zakoneve dhe traditave të atëhershme arabe, si të gjithë fëmijët tjerë edhe Muhamedi (a. s.) në moshë të vogël u dërgua në fshat për ta mësuar gjuhën e pastër arabe. Aty, sipas burimeve në të cilat nuk mund të dyshohet, nëna e tij prej qumështi, Halimja, tregon për disa mrekulli që i kanë ngjarë Muhamedit (a. s.). Si më të madhe mund ta cilësojmë edhe atë muxhize shkaku i së cilës është shpallur surja “Sherh”, pastaj shtimi i begative të kafshëve etj.
Nëna e Muhamedit (a. s.) ka vdekur kur i dërguari ynë ka qenë 6-vjeçar, pas një vizite të varrit të babait të Pejgamberit (a. s.). Pas vdekjes së nënës e merr në përkujdesje i gjyshi, mirëpo edhe ai do të vdes pas dy vitesh. Që prej atëherë e deri në moshën madhore për Muhamedin (a. s.) përkujdeset Ebu Talibi, xhaxhai i tij, i cili do t’i ndihmojë mjaft Muhamedit (a. s.) dhe do ta mbrojë nga idhujtarët mekas, por nuk do ta pranojë Islamin. Muhamedi (a. s.) në moshë të re ka udhëtuar me xhaxhain në udhëtimet e tij tregtare, ka qenë në Siri, sipas disave edhe në Jemen. Në moshë të re, si të gjithë pejgamberët, ka qenë çoban dhe i ka ruajtur dhentë e mekasve. Në moshën 13-vjeçare ka filluar t’i ndihmojë xhaxhait në tregti.
Muhamedi (a. s.) nuk ka marrë pjesë asnjëherë në ceremonitë kurejshite dhe që në rini është njohur me epitetin “el-emin” – besnik, i besueshëm. Muhamedi (a. s.) është punësuar tek Hatixheja, një grua e vejë, por e pasur, ku edhe është shquar si një punëtor dhe tregtar mjaft i aftë, me çka në moshën 25-vjeçare, përmes një shoqeje të Hatixhes ((r. a.)), i ka arritur një propozim për martesë, të cilin e ka pranuar. Me Hatixhen (r. a.) ka pasur 6 fëmijë, 2 djem: Kasimin dhe Abdullahun, si dhe 4 vajza: Zejneben, Ummi Kulthumin, Rukajen dhe Fatimen. Djemtë i kanë vdekur në moshë të vogël, ndërsa të gjitha vajzat, përveç Fatimes (r. a.), kanë vdekur para tij. E kanë thirrur edhe me emrin Ebu Kasim (babai i Kasimit).
Para se t’i vinte Muhamedit (a. s.) shpallja, mekasit bënë restaurimin e Qabesë, por u shfaq problemi se kush do ta vendoste gurin e shenjtë, Haxherul Esvedin, në vendin e vet. Muhamedi (a. s.) e zgjidhi këtë çështje, duke marrë një pëlhurë dhe secili fis kapi nga një pjesë të pëlhurës (çarçafit).
Në moshën 40-vjeçare Muhamedit (a. s.) i erdhi shpallja nga ana e Allahut (xh. sh.), në shpellën Hira. 3 vite Muhamedi (a. s.) thirri fshehtas, e më pas, një ditë prej ditësh, hipi në kodrën Safa dhe i thirri mekasit, duke iu drejtuar: “O mekas, sikur t’ju thoja se pas kësaj kodre është duke ardhur një armik me një ushtri të fuqishme, a do të më kishit besuar?!” Të gjithë thanë ‘po’. Atëherë Muhamedi (a. s.) tha: “Atëherë unë po ju them se nuk ka Zot tjetër pos Allahut.” I pari që e kundërshtoi ishte xhaxhai i vet, Ebu Lehebi, të cilin e mallkon edhe Kurani, pas tij nuk e besuan edhe kurejshitët tjerë që ishin tubuar.
Thamë që Muhamedit (a. s.) pa masë i ka ndihmuar xhaxhai i tij, Ebu Talibi, kështuqë njëherë kurejshitët e dërguan atë te Muhamedi (a. s.) për t’i ofruar atij pasuri, pushtet dhe vajzën më të bukur që ta donte, mirëpo Muhamedi (a. s.) kur i dëgjoi këto nga xhaxhai i vet, tha: “Sikur të ma ofronin diellin në krahun e djathtë dhe hënën në krahun e majtë, vallahi nuk do të heq dorë nga ky mision deri sa të vdes.”
Viti i 10 i shpalljes konsiderohet si Amul Huzni (vit i dëshpërimit), pasi që në të Muhamedit (a. s.) i vdes xhaxhai Ebu Talibi dhe gruaja, Hatixheja (r. a.). Muhamedi (a. s.), i dëshpëruar nga neglizhenca e mekasve, vendos që të shkojë në Taif, qytet ky në lindje të Mekës dhe me vete mori vetëm shërbëtorin e tij, Zejdin. Në Taif ai qëndroi 10 ditë, mirëpo banorët e këtij qyteti përpos asaj që nuk e pranuan thirrjen, e torturuan dhe e dëbuan mizorisht, saqë opingat iu mbuluan me gjak. Por, Allahu (xh. sh.) nuk e lë robin e tij të zgjedhur të dëshpërohet, kështu që i mundëson atij udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit.
Në vitin e 13-të të shpalljes, pas disa takimeve në Akabe, Muhamedi (a. s.) vendos të shpërngulet në Jethrib (Medinetu’l-Resul). Aty Muhamedi (a. s.) gjeti mundësinë për ta zhvilluar Shtetin Islam. Pas betejave të shumta me idhujtarët mekas, si ajo e Bedrit, Uhudit, Hendekut, Muhamedi (a. s.) në vitin e 8 hixhrij arriti ta çlironte Mekën pa derdhur asnjë pikë gjak. Në vitin e 10 hixhrij bën Haxhin e Lamtumirës, ku Muhamedi para 100 mijë njerëzve thotë fjalimin më gjithëpërfshirës të njerëzisë. Vdes mu atë vit, në Rebiul Evvel/8 qershor. Varroset në dhomën e tij, pasi që pejgamberët janë varrosur aty ku kanë vdekur.
Paralajmërimi i parë
“Ka dy lloje të banorëve të Zjarrit që ende nuk i kam parë: njerëz me kamxhik si bishti i lopës, me të cilin i rrahin njerëzit dhe gratë që janë të veshura, mirëpo të zhveshura, të cilat ecin me një ecje tërheqëse (joshëse, provokuese ) dhe me diçka në kokat e tyre që duken si gungat e devesë, të anuara në një anë. Ata nuk do të hyjnë në Xhenet dhe as që do ta nuhatin aromën e tij, edhe pse aroma e tij mund të nuhatet prej sa e sa larg.”
Ky hadith flet për dy lloj njerëzish të cilët Muhamedi (a. s.) nuk i ka parë, por ai na ka paralajmëruar se ata do të paraqiten pas vdekjes së tij; dhe, për fat të keq, fati i këtyre njerëzve do të jetë zjarri, për shkak të gjynaheve të tyre. Një grup i madh i dijetarëve paraqitjen e këtyre njerëzve e kanë konsideruar si një nga shenjat e vogla të Ditës së Kiametit.
Ndërkaq, këta njerëz që i përmend Muhamedi (a. s.) janë dy llojësh:
“Njerëz me kamxhik si bishti i lopës ”
– ajo që mendohet këtu është për ata që i sulmojnë njerëzit pa ndonjë arsye; në këtë grup sipas disave bëjnë pjesë: forcat diktatoriale, tiranët ose të tjerë, që veprojnë me urdhër të pushtetit.
Kjo pjesë e këtij hadith ka të bëjë me disa persona për të cilët Muhamedi (a. s.) ka paralajmëruar se do dalin në sipërfaqe, por për fat të keq këta njerëz sot i kemi në mesin tonë, dhe vetë paraqitja e tyre është shenjë e vogel e ditës së Kiametit.
Al-Neveviu ka thënë: “Sa u përket atyre që kanë kamxhik, janë ata që punojnë për policinë.”
Al-Sakhauvi ka thënë: “Ata janë tani ndihmësit e tiranëve dhe zakonisht i referohet grupit më të keq përreth sundimtarit; gjithashtu mund të aplikohet edhe për sundimtarët e padrejtë.”
Për atë se ky grup i njerzëve sipas shumicës së dijetarëve është prej shenjave të vogla të ditës së Kiametit, po e paraqesim raportin e Imam Ahmedit, në të cilin thuhet: “Në fundin e kohës do të paraqiten njerëz nga ky ummet me kamxhik si bishti i lopës. Ata do të dalin në mëngjes nën hidhërimin e Allahut dhe do të kthehen në mbrëmje nën zemërimin e Tij.”
“Gratë që janë të veshura, mirëpo të zhveshura, të cilat ecin me një ecje tërheqëse (joshëse, provokuese ) dhe në kokat e tyre që duken si gungat e devesë të anuara në një anë”
-sa i përket kuptimit të këtij fragmenti, d.m.th. se do t’i zbulojnë pjesët e trupit të tyre që e tregojnë bukurinë, kështu do të jenë të veshura, por të zhveshura. Do të vishen me rroba të holla dhe do të shfaqin çfarë ka nën to. Sheh ibn Uthejmini ka thënë: “të veshura, por të zhveshura” ka kuptimin se gratë e tilla mbajnë rroba të shkurtra, që nuk e mbulojnë auretin, që duhet të mbulohet. Është interpretuar se këta njerëz janë që veshin rroba të lehta (të holla), që nuk i ndalon të tjerët të shohin lëkurën e gruas nën to, ose veshin rroba të ngushta që nuk ua shfaqin lëkurën, por ua shfaqin hijeshitë e tyre.
“Të cilat ecin me një ecje tërheqëse (joshëse, provokuese)”
-sa i përket kësaj fraze, nënkuptohet devijimi nga bindja ndaj Allahut dhe nga urdhri për të ruajtur delirësinë e tyre ose i mësojnë të tjerët të bëjnë atë që ata bëjnë. Ndërkaq, si kuptim final i kësaj është se ato mundohen t’i tërheqin meshkujt me ecjen e tyre.
“Kokat e tyre që duken si gungat e devesë të anuara në një anë”
-kjo mund të nënkuptohet se ato i bëjnë që kokat e tyre të duken më të mëdha me shamitë e tyre, të cilat janë të lidhura përreth kokës, kështu që duken si gungat e devesë. Al – Maziri ka thënë: “Këtu bëjnë pjesë ato që nuk do ta ulin shikimin në prani të burrave, dhe ato më tepër do të shikojnë tek ata.”
Ky hadith është një nga mrekullitë e Muhamedit (a. s.), sepse këto dy lloje njerëzish tani janë shfaqur dhe ekzistojnë edhe në mesin e shoqërisë myslimane.
Paralajmërimi i dytë
“Kur të lind robëresha zotëriun e vet dhe kur t’i shohësh të rraskapiturit, të zbathurit, të varfrit, brinjët e bagëtive të krenohen ndaj njëri-tjetrit me ndërtimin e ndërtesave të larta.”
Ky është hadithi kur Xhibrili (a. s.) erdhi dhe e pyeti Muhamedin (a. s.) për shenjat e Kiametit, ndërsa Muhamedi (a. s.) në një ndër shenjat e Kiametit përmendi edhe këtë hadith.
Hadithin do ta ndajmë në dy pjesë, duke dhënë sqarim për secilën prej tyre.
“Kur të lind robëresha zotëriun e vet”
-qëllimi i kësaj pjese është se do të përhapet paduegjueshmëria e fëmijës ndaj prindërve të tyre, fëmijet do të kenë sjellje jonjerëzore ndaj nënave të tyre, do të sillen njëjtë sikur sillen pronarët ndaj robërve të vet, do të ketë prej fëmijëve që do t’i shajnë nënat e tyre, do t’i rrahin, do t’i poshtërsojnë dhe duke kërkuar prej tyre shërbime të shumta dhe të ndryshme, prandaj ky fëmijë quhet “zotëriu i nënës së vet”.
Ose, me fjalën “zotëri” mund të nënkuptohet kujdestari, madje, ky përkufizim është sikur më i qëlluari dhe më i drejti, ngase në hadith flitet për atë se kjo gjendje do të jetë e çuditshme, se shenjat e afërsisë së ditës së Kiametit do të jetë ajo se shumë gjëra do të jenë të kthyera krejtësishtë mbrapshtë, kështu fëmija që duhet të edukohet nga prindërit do të jetë “edukator”.
Muhamedi (a. s.) diku para XIV shekuj na paralajmëroi se do të vijë kjo kohë kur njerëzit do të sillen ndaj nënave të tyre sikur të jenë pronarë, zotërinj të nënave të tyre. Ky fenomen negativ, për fat të keq, është në mesin tonë, sot! Shumë të rinj sillen me prindërit e tyre në mënyrë jonjerëzore, e sidomos kur është në pyetje nëna, ata (fëmijët) në sjelljet e tyre janë të pakujdesshëm. Fëmijët e sodit, për t’u dukur “sa më të civilizuar”, i dërgojnë prindërit e tyre në shtëpi për pleq. Ja, pra, kujt i dedikohet kjo: “Kur të lind robëresha zotëriun e vet.”
“Kur t’i shohësh të rraskapiturit, të zbathurit, të varfrit, brinjët e bagëtive të krenohen ndaj njëri- tjetrit me ndërtimin e ndërtesave të larta.”
-sqarimin e këtij fragmenti më së miri na e ka shpjeguar vetë Muhamedi (a. s.), ku e pyeti Xhibrili (a. s.) se cilin synon me këto fjalë, i Dërguari i Allahut (xh. sh.) tha:“ ata janë arabët”, janë beduinët të cilët jetojnë në shkretëtirë. Muhamedi (a. s.) paralajmëroi se do të vijë një kohë kur arabët do të bëhen mbretër me ndërtesa që do t’i ndërtojnë dhe se ata do të krenohen dhe do të lavdërohen me to.
Sot për çdo ditë shohim nëpër media se si nëpër vendet arabe ndërtohen ndërtesa madhështore që kushtojnë me miliona, duke i harruar disa vende të tjera ku njerëzit vdesin për një kafshatë të bukës, e dikush lavdërohet dhe krenohet se ne ndërtojmë ndërtesa më luksoze në botë.
Imam Kurtubiu thotë: “Më këtë dëshirohet të tërhiqet vërejtje në ndërtimet tejet të mëdha që do të ndodhin, kështu që beduinët përdhunshëm do të ngadhënjejnë në disa shtete dhe do të sundojnë padrejtësinë, pastaj do të tubojnë pasuri që do ta shpenzojnë në ndërtimin e ndërtesave të larta, duke u krenuar me to, e ne jemi dëshmitarë të kësaj këto ditë.”
Paralajmërimi i tretë
“Nuk do të shkatërrohet bota, derisa vendet arabe të mos mbushen me kopshte e lumenj.”
-kjo thënie e Muhamedit (a. s.) diku para XIV shekujsh është duke e habitur botën e sotme moderne: shumë studiues jomyslimanë kanë mbetur pa koment kur e kanë dëgjuar se Muhamedi (a. s.) dinte edhe për gjeologjinë, ndërsa sot shkenca moderne i verifikon të gjitha thëniet e Muhamedit (a. s.).
Shumë të vërteta të përmendura në Kuran nuk qe e mundur që të vërtetoheshin në atë kohë, mirëpo sot përmes shkencës bashkëkohore u bë e mundur të vërtetohet ajo që u tha në Kuran dhe në Sunnet para 1400 vitesh.
Për të sqaruar më mirë këtë thënie të Muhamedit (a. s.) do të paraqes studimin e gjeologut gjerman Alfred Kroner, i cili në një debat është pyetur kështu: “A nuk ishin vendet arabe të gjelbëruara dhe të pasura me kopshte dhe lumenj?” Po, u përgjigj, kjo është një e vërtetë shkencore. Vazhduan me pyetjen tjetër: “E kur ndodhi kjo?”
“Në kohën e akullnajave, akujt e grumbulluar në Polin e Ngrirë të Veriut filluan të rrëshqisnin drejt Jugut dhe, kur ato i ishin afruar relativisht Gadishullit Arabik, ndryshoi temperatura, gjë që bëri që ky gadishull të ishte një ndër vendet më të pasura me kopshte, lumenj dhe reshje.”
E pyetën profesorin, se a do të ndodhë përsëri që Gadishulli Arabik të shndërrohet në kopshte dhe lumenj siç ishte më parë? Po, u përgjigj, dhe e argumenton tezën e vet kështu:
“Koha e re e akullnajave ka filluar. Akulli për herë të dytë ka filluar të rrëshqasë nga Poli i Veriut në drejtim të Jugut. Tani ai ka marrë rrugën e tij në drejtim të Gadishullit Arabik. Dëshmi për këtë është ajo që dëgjojmë mbi furtunat e forta, të cilat përfshijnë vendet veriore në Evropë dhe Amerikë. Kjo është dëshmi mbi atë që thamë. Shkencëtarët kanë edhe fakte të tjera rreth kësaj çështjeje dhe kjo është e vërtetë shkencore.”
Pra, në bazë të këtij hadithi, si dhe të zbulimeve shkencore, nënkuptojmë se Gadishulli Arabik dikur ka qenë vend i mbushur me kopshte e lumenj, por gjatë kalimit të kohës dhe ndryshimeve klimatike ka ardhur në këtë gjendje që është edhe sot. Mirëpo, Muhamedi (a. s.) na paralajmëron se Gadishulli Arabik do të kthehet në të njëjtën gjendje si ka qenë dikur, i mbushur me kopshte e lumenj.
Një përputhshmëri shumë e qartë e fjalëve të Muhamedit (a. s.) dhe shkencës bashkëkohore, edhe një argument shumë i qartë se Muhamedi (a. s.) nuk fliste nga hamendja, por ai ishte nën dirigjimin e Allahut dhe se thëniet e tij janë inspirim apo shpallje nga Allahu (xh. sh.). Po e përfundoj ketë pjesë me fjalët e Allahut (xh. sh.), që thotë:
“Kurani është këshillë për të gjitha botët. Ju gjithsesi do ta kuptoni këtë, madje qoftë edhe më vonë”. (Sure Sad, ajeti 87)
Paralajmërimi i katërt
“Kur do të humb amaneti, priteni ditën e Kiametit. Kur do të ndodhë, o i Dërguar – e pyetën sahabët. Kur punët (funksionet ) e përgjegjshme do t’u jepen njerëzve të papërgjegjshëm.”
Muhamedi (a. s.) si shenjë të Kiametit na paralajmëroi se do të vijë koha kur amaneti (besimi) do të humbë nga mesi i njerëzve, e sidomos nga mesi i myslimanëve. Hadithi shumë qartë na shpjegon humbjen e amanetit nga zemrat e besimtarëve dhe kjo do t’u ndodhë atyre njerëzve që nuk e kanë frikë Zotin dhe që kenë iman të dobët.
Pjesa e dytë e këtij hadithi ngërthen në vete një domethënie të madhe dhe ka të bëjë me ata persona të cilëve u besohet një post shumë me vlerë për shoqërinë në përgjithësi, ndërsa këta njerëz nuk janë aspak të përgjegjshëm për postet që i marrin apo nuk janë të specializuar për atë funksion që e marrin.
Sot shumë funksionarë janë caktuar nëpër poste të ndryshme pa qenë të profileve përkatëse, ndaj dhe shohim se në atë shoqëri gjithmonë ka ngecje dhe aspak përparim.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe udhëheqësit të cilët nuk sundojnë me librin e Allahut (xh. sh.) që t’u sjellin njerëzve drejtësi. E, Allahu (xh. sh.) thotë: “…Allahu nuk e prish gjendjen e një populli përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre….” (Er-Rra’d, 11)
Po i përfundoj këto paralajmërime të Muhamedit (a. s.) me një thënie:
“Sikur të kishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim dhe të Muhamedit (a. s.), deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundonin fjalët e Zotit tim dhe të Muhamedit (a. s.).”/Syri