Për shkak të garës çiklistike Giro D’Italia që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, Partia Socialiste në Vlorë bën kërkesë për shtyrjen e afatit të votimit deri në ora 22:00 ditën e dielë.
Mësohet se kërkesa është dërguar në KQZ nga drejtuesi politik i PS, Bledi Çuçi.
Gara çiklistike do të zhvillohet të dielën në qarkun e Vlorës ku është parashikuar bllokimi i disa akseve rrugore dhe sipas kërkesës kjo gjë mund të shkaktojë probleme në qarkullimin e njerëzve për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Kërkesa:
Drejtuar: z. Ilirian Celibashi
Kryetar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve
Lënda: Kërkesë për shtyrje të orarit të mbylljes së disa qendrave të votimit në Qarkun e Vlorës
I nderuar z. Celibashi
Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”. Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë. Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese.
Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00. Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin,
Bledar Çuçi, Drejtues Politik i Partisë Socialiste Vlorë