Prokuroria e Posaçme dërgoi sot për proces në GJKKO dosjen me 3 të pandehur për korrupsion, mes tyre edhe një punonjës i Kadastrës së Fierit (ASHK).
Sipas njoftimit zyrtar mësohet se bëhet fjalë për një rast ryshfeti me vlerë 2 mijë euro që dy të pandehurit e tjerë të dosjes, Ardjan Kumaraku dhe Afërdita Vidhi, i kanë dhënë aktualisht ish-punonjësit Endri Ngresi, me qëllim legalizimin e banesës dhe pajisjen me dokumentet përkatëse.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.17 të vitit 2024 dhe ka dorëzuar në Gjykatën Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të 3 të pandehurve:
Endri Ngresi, punonjës i ASHK Fier, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Ardjan Kumanaku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi 2 e 25 i Kodit Penal.
Afërdita Vidhi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi 2 e 25 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve ka rezultuar se e pandehura Afërdita Vidhi në bashkëpunim me të pandehurin Ardjan Kumanaku i kanë dhënë një shumë monetare në vlerën 2000 (dy mijë) euro të pandehurit, Endri Ngresi, i cili ka qenë punonjës pranë ASHK-së Fier, me qëllim pajisjen me dokumente legalizimi të shtëpisë së saj në Fier.