Euro ka prekur një tjetër rekord në rënien e saj në krahësim me Lekun. Në përditësimin e fundit të Bankës së Shqipërisë këtë të hënë, Euro shënoi 99.72 lekë, niveli më i ulët zyrtar i regjistruar prej saj.
Edhe pse në fund të javës së kaluar monedha e përbashkët europiane dha shenja të forcimit, kjo e hënë ka nisur me një rënie prej 0.9 lekë në krahasim me 3 ditë më parë.
Rënia fortë e Euros nisi që në muajin Maj, por disa ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë bënë që kursi i këmbimit të stabilizohej. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko është shprehur se megjithatë situata e tregut të këmbimit është e qëndrueshme dhe se po mbahej në vëzhgim nga institucioni që ai drejton.
Ekspertët shpjegojnë se kjo rënie e Euros është e ndikuar nga fluksi i lartë i turistëve të huaj në kulmin e sezonit turistik që kanë sjellë valutë të huaj në vend si dhe nga investimet e huaja sidomos në ndërtim dhe blerje të pasurive të patundshme.
Rënia e Euros ka ndërkohë edhe efektet e saj negative tek eksportuesit dhe fasoneritë.
Këtë fillim jave leku është forcuar edhe ndaj monedhave të tjera të huaja. Dollari amerikan këmbehet me 90.33 Lekë, ndërsa Paundi britanik ka zbritur në 117.05 lekë.