Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ka komentuar situatën politike në vend. Për televizionin “A2 CNN” ai foli për deklaratat e djeshme të Presidentit Ilir Meta, i cili paralajmëroi se mund të jepte dorëheqjen nëse i shërbente zgjidhjes së krizës politike. Moisiu tha se roli i presidentit duhet të jetë ai i uljes së palëve në një tryezë të përbashkët.
“Me Kushtetutë, Presidenti përgjigjet për unitetin e kombit, duhet të luftojmë t’i bëjmë bashkë politikanët tanë, megjithëse është shumë e vështirë”, u shpreh Moisiu. “Do të përsërisim prapë 1997-n, që erdhi operacioni Alba për të zgjidhur krizën? Kjo nuk shkon, do të ishte një krim ndaj vendit tonë. Është e drejta e Presidentit të gjykojë, të vendosë, por unë gjykoj se duhen bërë përpjekjet maksimale për të ulur njerëzit në tryezë”, ka vazhduar ai pwr “A2CNN”.
Ish-Presidenti thotë se dorëzimi i mandateve nga opozita është një veprim i pavend, megjithëse thotë se nëse shumica dështon në zgjedhjet vendore, duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.
“Djegien e mandateve e quaj të pavend, të shpejtuar dhe jo të menduar mirë. Ndërsa çështjen e mospjesëmarrjes në zgjedhje e quaj të gabuar. Zgjedhjet vendore do të japin një pasqyrë të gjendjes dhe nëse shumica dështon, atëherë duhet që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, shtoi Moisiu./Opinion.al