Forcat e ushtrisë dhe ekipet e zhytësve kanë arritur të nxjerrin ditën e sotme edhe kutinë e zezë të helikopterit të ushtrisë rrëzuar në Liqenin e Shkodrës 3 ditë më parë.
Nga verifikimi paraprak konstatohet se kutia është e dëmtuar në pjesën mbështjellëse të jashtme megjithatë shpresohet se mekanizmi i saj i brendshëm të mos jetë dëmtuar e të jetë i vlefshëm për hetimin.
Për shkak të mënyrës së copëtimit dhe shenjave të zjarrit të mbetura në copat e helikopterit dyshohet se ai ka pasur shpërthim zjarri në pjesën e bishtit
Nga aksidenti mbetën të vdekur dy pilotët, si edhe u plagos një ushtar profesionist. Deri dje u nxorën disa pjesë të helikopterit të rrëzuar për shkaqe të mbetura ende mister.
Kutia e zezë, është e vetmja që mund të përcaktojë edhe shkakun e aksidentit.
Nxjerrja e helikopterit do t’i shërbejë edhe hetimeve të nisura tashmë nga prokuroria për shkaqet e rënies së tij. Mësohet se në hetime do përfshihet edhe kompania franceze “Eurocopter” nga e cila u ble vitin e kaluar dy helikopterë të modelit “EC 145”.
Përveç polumbarëve, nga Tirana në operacionin e nxjerrjes së pjesëve të helikopterit kanë qenë edhe forcat RENEA.
Helikopteri “EC 145” i Forcës Ajrore Ushtarake Shqiptare ka kryer dy fluturime para se të rrëzohej në Liqenin e Shkodrës, ku fatkeqësisht humbën jetën dy pilotët Florian Deliaj dhe Dorian Hoxha.
Specialistë të kompanisë “Eurocopter” kanë mbërritur nga Franca dhe pritet të japin ndihmën e tyre në hetimet për rastin.
Paçka se nuk kanë dalë versionet zyrtare mbi këtë aksident, ka dyshime paraprake mbi pasigurinë që kishte mjeti fluturues.
Ai është i ndërtuar në formë të tillë që uljen e ka me slitë, që nënkupton se në rast aksidenti, duhet të kishin funksionuar jastëkët e ajrit.
Në rastin konkret, duket se ata nuk kanë qenë aktivë, çka ka sjellë edhe tragjedinë. Që dy pilotët mund të kenë besuar në mjetin që drejtonin, kjo përforcohet edhe nga fakti që ata ishin me rrip sigurimi të lidhur, çka tregon se nuk tentuan hedhjen nga helikopteri, duke shpresuar minimalisht në hapjen e jastëkëve të ajrit pranë pjesës së slitës.
Versioni i dytë është që ka qenë një gabim njerëzor nga ana e dy pilotëve, të cilët mund të mos kenë llogaritur distancën mes liqenin dhe lartësisë ajrore që duhet të mbanin.