Ministri i Jashtëm serb Djuriç: Thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë

Kryediplomati serb, Marko Djuriç tha për televizionin kombëtar Klan News se marrëdhëniet me Shqipërinë kanë njohur progres në sajë të vizionit largpamës të Kryeministrit Rama dhe Presidentit Vuçiç.

“Para se gjithash dua të them që shqiptarët janë shumë të ngrohtë me mikpritjen e tyre. Për mua, është impresive të shikoj sesi në katër pesë vitet e fundit që nga vizita ime e parë në Tiranë ky qytet është rritur në të gjitha kuptimet. Shifrat në rritje të numrit të turistëve, projektet në infrastrukturë flasin për zhvillimin e madh ekonomik këtu. Ka shumë qytetarë serbë që po e vizitojnë gjithnjë e më shpesh vendin tuaj për qellime turistike dhe të bërit biznes. Janë rritur po ashtu shkëmbimet tregtare mes nesh. Ne do të vijojmë që të thellojmë bashkëpunimit mes të dy shteteve tona sipas vizionit të Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Rama.”

Në intervistën ekskluzive, Djuriç theksoi se ekziston një potencial i madh për rritjen ekonomike rajonale dhe shkëmbime tregtare mes shteteve ballkanike.

“Për shtete të vogla si këto në rajonin tonë, e vetmja rrugë është bashkëpunimi, hapja e kufijve, ndërlidhja më e mirë në mënyrë që qytetarët tanë të kenë mundësi që të komunikojnë lirshëm mes tyre. Ne duhet që të bëjmë më shumë në krahasim me shtetet perëndimore evropiane sepse kemi njerëz që punojnë shumë, janë inteligjentë. Ekziton një potencial i madh për rritje ekonomike rajonale dhe shkëmbime tregtare. Në mënyrë që ta kthejmë rajonin tonë në një mjedis suksesi, ne duhet të ushqejmë vizionin e lënies mënjanë të ndasive sepse kemi më tepër gjëra të mira që mund të vëmë në bazë të bashkëpunimit mes nesh për të menduar për të ardhmen. Ojektivi i Serbisë është që të jetë gati për anëtarësim në BE më 1 Janar të vitit 2027.

Presidenti Vuçiç ka deklaruar si objektiv për mbylljen e negociatave me BE-në datën 31 Dhjetor të vitit 2026. Kjo nënkupton se me finalizimin e reformave politike, ekonomike e sociale të kërkuara për anëtarësimin në BE, Serbia më 1 Janar të vitit 2027 do të jetë gati. Pas kësaj date u mbetet shteteve anëtare të BE-së për të vendosur se kur dhe sesi Serbia, por edhe shtetet e tjera të rajonit tonë do të jenë pjesë e familjes evropiane. Ne e mbështesim Shqipërinë, Malin e Zi dhe shtetet e tjera që aspirojnë integrimin e plotë.”

Për marrëdhëniet me Kosovën, Djuriç tha se duhet ndërtuar një klimë më e mirë mirëkuptimi dhe mirëbesimi për të parë drejt së ardhmes.

“Problemet me Kosovën janë trashëgimi e viteve 90. Mendoj se ne duhet që t’i përkushtohemi zbatimit të të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këto vite në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Duhet krijuar po ashtu një klimë më e mirë mirëkuptimi në terren duke menduar se ç’mund të sjellë mirëbesimi për të parë drejt së ardhmes. Duhet po ashtu tolerancë zero ndaj çdo veprimi të njëanshëm.”

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk ka arritur në marrëveshjen finale për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që pritet vizioni i shefes së diplomacisë.

Klan News




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT