Për këdo që do të shohë nga afër bukuritë e Lezhës, destinacionet bregdetare, atraksionet historike, eventet kulturore, tradidat lokale, mundësitë e akomodimit, si dhe dëshiron të konsumojë një vakt të mirë, tanimë është shumë e lehtë. Kjo falë guidës së re të promovuar nga bashkia e këtij qyteti.
Për drejtorin e Turizmit në Bashkinë e Lezhës, kjo guidë është pasaporta turistike që i nevojitej këtij rajoni.
“Japim jo vetëm informacion turistik apo gjeografik, por edhe informacion, por edhe sesi shkohet në ato atraksione, sepse aty ke edhe barkode që lidhen me telefon. Këtë guidë do ta kenë të gjithë sportelet hoteliere, agjencite turistike, se çfarë mund të bësh në Lezhë, çfarë festash ka në Lezhë, aty janë edhe udhërrëfyesit turistikë të çertifikuar”, shprehet Ronaldo Xhani, drejtor i turizmit në bashkinë Lezhë.
Vitin që lamë pas Lezha mikpriti më shumë se 1.3 milionë turistë dhe me publikimin e kësaj guide, pushteti lokal synon t’i kapërcejë këto shifra.
“Do t’i japë një shtysë turizmit, sepse Lezha është shumë e bukur. Përveç detit ne kemi vendosur t’i japim mundësi edhe zonave të tjera”, thekson Xhani.
Turistët që kishin zgjedhur të kalonin fundjavën në Lezhë e mikpritën këtë guidë.
“Krijon një pasqyrë më të qartë për Lezhën për të vizituar vendet më të mira që ka Lezha.”
“Në gjithë Evropën në bazë të këtyre fletushkave bëhet njoftimi përreth, më vjen mirë që është bërë edhe këtu. Kushdo qoftë smundet me ditë ca ka këtu, kjo është pasaporta për ta. Po e marr sefte ka shumë vende që si kam vizituar, është një hartë i përgëzoj për këtë iniciative kushdo që e ka ndërrmarrë.”
Gjatë aktivitetit të zhvilluar në Shëngjin u shpërndanë qindra kopje të guidës së re për turistët, me qëllim orientimin e tyre më mirë dhe eksplorimin e të gjitha thesareve që ofron ky rajon, ku mali, deti, laguna, monumentet arkeologjike dhe historike, përbëjnë një bashkësi të spikatur. Tv Klan