Komente

Migjeni dhe përbaltja gjithëkohore



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 10:40 - 04/05/16 |
b.f

Nga Behar GjOKA

Qysh kur feksi emri i Migjenit në letrat shqipe, fjala e ndritur e poetit, derdhur me magjinë estetike në përmbledhjen poetike, Vargjet e Lira, fjala e prozatorit që vjen bukurisht në Novelat e Veriut, veçmas fjala e poetit profet të lirisë, të andrrës së qenies, nisi të hidhet balta pa pra. Baltë kur ia ndaluan Vargjet e Lira, në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, që duket se vetëm sa e filloi historinë e mbrapshtë të qëndrimit ndaj Migjenit, me gjasë ndaj veprës letrare, modern në thelbin e vetë, të mendimit dhe shpalimit letrar.

Ndërroi moti, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, e në vend të monarkisë, erdhi komunizmi, me filozofinë e vitit zero, i cili hodhi baltë të kuqe duke e shpallur poet të revolucionit pa qenë i tillë, poet të botës së re, kur ai nuk kishte asnjë lidhje me marrëzinë utopike të ideologjisë komuniste. Drita e Migjenit, në të gjitha kohët dhe sistemet, e tmerronte baltën dhe baltaxhinjtë, pamunguar në këtë nahinë tonë, gjithherë dhe në gjithëhapësinë. Baltë u hodh pa ndërprerje këtyre moteve, duke u rrekur që t’ia qesin synin, duke kërkuar me çdo kusht rranjët e pamundshme sllave të tij, por në vitet e demokracisë u guxua që të hiqet nga programi në shkollën e mesme.

Kur them se Migjeni i përket letërsisë shqipe, kam parasysh vetëm ADN letrare, poezitë dhe prozat letrare! Përpjekja e bërë në 100-vjetorin e lindjes së Migjenit, nga dy institucione, kinse shkencore, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Departamenti i letërsisë së Filologjikut të Tiranës, se ku gjetën disa fakira (gjak me Migjenin u tha atëherë), që sërish broçkullitën mbi gjoja origjinën sllave të Migjenit, duke u mbështetur vetëm te letërkëmbimi, kur Migjeni ishte nxënës në shkollën fillore të Tivarit. Baltë dhe përbaltje pa pra, mbi Migjenin, dje, sot dhe nesër. Baltë blu, e zezë, laramane, rozë dhe shumëngjyrëshe, baltë e hedhur në secilin moment kur përmendet emri i Migjenit. Mjaftoi ngritja e monumentit të poetit, në Pukë, ku qe mësues, për të shpërthyer histeria ndaj emrit, për të lëshuar mallkimet e radhës. Po në vitin 2011, afër portës së jashtme të bibliotekës kombëtare, ka pasur një ekspozitë të shëmtuar.

Nuk mbaj mend të ketë pasur paraqitje më të varfër se sa në atë rast në atë institucion kombëtar të librit. Po në atë vit u shit si gjetje fakti, në një libër të habitshëm, që vinte gojë mbas goje, pra duke u bazuar në thashetheme, se Migjeni paskërka lënë virgjërinë me një prostitutë greke! E tash së fundmi, K. Myftari, “enciklopedia e përbaltjes”, hedh baltën e radhës mbi shkrimtarin dhe veprën letrare të autorit… E përbashkëta e studimeve, me “njolla dhe kleçka” dhe fluturimeve të gazetarit të gjithëdijes, është metodika, sepse qoftë studiuesit dhe institucionet e shkencës rakitike, qoftë Myftari, kanë kryer lexim biografik, antibiografik, lexim sociologjik dhe ideologjik, që të largon nga tekstet dhe vlera e tyre.

Leximi biografik, u bë si mace e zezë për Migjenin, sepse nisi në fillim me lexim të tillë, kur doli nga botimi vëllimi Vargjet e Lira, dhe vazhdon edhe sot e gjithë ditën ky model leximi, që nuk ka mundur të errësojë dritën e fjalës së poetit. A vritet fjala letrare? Le të vjellin vrer dhe baltë pseudonimet dhe pseudointelektualët, letërsia është magji e njeriut, që nuk e merr brenda asnjë piramidë, ku strehohen të vetëshpallurit gjeni, që shpresojnë përjetësinë vetëm pse ngujohen në piramida. Letërsia nuk burgoset në piramidat e frikshme të dhunimit dhe përdhunimit.

A vritet drita e fjalës migjeniane? Balta vetëm sa zbulon baltaxhinjtë dhe megafonët e tyre, gazetat dhe televizionet, që janë bërë streha e horrave dhe gjithëditësve, që nuk lanë njeri pa përbaltur… Sa herë që hidhet balta mbi Migjenin aq herë shkëlqen, aq herë shpërfill horrat e albanologjisë së rrumpallës, zabërhanët e Shqipërisë, që gëzohen vetëm kur bëjnë keq, kur nxijnë faqen e të tjerëve… Migjeni na ka mund me kohë, me fjalën e ndritshme. Migjeni na don edhe në mosdashjen mjerane… Migjeni nuk është uragan, që ndërpritet se ashtu duan baballarët e realizmit socialist!

Migjeni nuk është një meteor qe shuhet… Migjeni, me fjalën e tij na dha dritën, edhe pse ne duam të rrimë në terr.. Mëshirë jo, vetëm të drejtë në këtë botë të ngrefosur si hajnat, si kaposhët në majë të mullarit të përbaltjes… Balta nuk po i rrika për fytyrë Migjenit… Kthehet mbrapsht mbi baltaxhinjtë e shtuar këtyre kohëve… Migjeni shkëlqen në ditë të mira dhe, të vështira. Prandaj, sa herë hidhet baltë mbi të, aq herë del ma fort në rreze të diellit dhe ndrin, dhe ngroh shpirtrat e tradhtuar, të vrarë nga mungesa e shpresës, ndrin edhe në përflakjen e urrejtjes ndaj fjalës letrare, që shtegton nga shekulli në shekull…

/Mapo

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas