Autoritetet panameze kontrolluan selinë e “Mossack Fonseca”, zyrës ligjore në qendër të skandalit financiar me kompanitë offshore, i njohur si “Panama Papers”. Për disa orë ndërtesa qendrore e kompanisë u rrethua nga policë të shumtë e gazetarë.
Zyrtarët panamezë njoftuan se janë sekuestruar dokumente të kompanisë, dhe kjo pritet të bëhet edhe në filialet e “Mossack Fonseca”.Të hënën autoritetet fiskale në Peru, mësynë gjithashtu në ndërtesën e zyrës ligjore në kryeqytetin Lima. Ndërsa javën e kaluar policia siguroi material informatike, që u vunë dispozicion të hetimit në filialin e kompanisë në El Salvador.
Zyra ligjore nga ana e saj i ka mohuar akuzat për parregullsi, duke sqaruar se i janë piratuar serverat dhe informacioni është keqinterpretuar. Sistemi financiar panamez u vu në qendër të kritikave pas shpërthimit të mega-skandalit “Panama Papers”, ku krerë shtetesh, politikanë, biznesmenë e njerëz të famshëm pastronin para apo u shmangeshin taksave, nëpërmjet shoqërive offshore. / TVKLAN