Rajoni

Menduh Thaçi dënohet me tre vite burg


               Publikuar në : 14:08 - 08/03/19 |
b.f

Menduh Thaçi, një ndër politikanët kryesorë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, është dënuar me tre vite e dy muaj burg për shpërdorim detyre, për një skandal që lidhet me zgjedhjet e vitit 2013 në Strumicë.

Së bashku me të është dënuar edhe ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijallkov me tre vite burg, për të njëjtën akuzë që lidhet me rastin “Titanik 2”. Mediat maqedonase raportojnë se dënimi më i madh i është dhënë Bedredin Ibraimit me 4,5 vjet burg, i cili ishte anëtar i KSHZ-së nga radhët e PDSH-së në kohën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013.

Thaçi akuzohet për manipulime në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Strumicë. Sasho Mijallkov akuzohet se në kohën kur ka qenë drejtor i DSK-së, në vitin 2013, ka shfrytëzuar ndikimin e tij dhe përmes Menduh Thaçit ka pranuar të miratohen ankesat për rivotimin në tre vendvotime në Strumicë.

Prokurorja Fatime Fetai, pas dhënies së dënimit për Sasho Mijallkov, i ka kërkuar trupit gjykues që Mijallkovi të shkojë menjëherë në paraburgim, për shkak të dyshimeve për arratisje, ndërsa për të dënuarit e tjerë ka kërkuar masa shtesë sigurie.

Partia Demokratike Shqiptare u themelua në Maqedoni nga Arbën Xhaferi dhe prej shumë vitesh drejtohet nga Menduh Thaçi./Opinion.al

Pas