Gazeta e përditshme britanike “London Evening Standard” duke iu referuar të dhënave të Agjencisë Britanike të Luftës kundër Krimit (NCA) shkruan se bandat shqiptare kontrollojnë trafikun e drogës në Londër.
Sipas gazetës në fjalë, bandat shqiptare janë të vendosura mirë në kryeqytetin britanik dhe se kanë futur nën zotërim operacionin e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gazeta shkruan se vetëm në tre vitet e fundit, nga operacionet e zhvilluara nga ana e NCA janë dënuar 123 shqiptarë me një total prej 680 vitesh, kurse ndaj 13 shqiptarëve të dyshuar pritet të mbahen proceset gjyqësore.
“Në total, 545 kg kokainë me një vlerë shitjeje në rrugë në afro 80 milionë stërlina, është kapur gjatë operacioneve të detektivëve britanikë të NCA dhe Scotland Yard-it.
Më shumë se 5 milionë stërlina para të thata janë kapur nga bastisjet e policisë nëpër shtëpitë apo makinat e shqiptarëve, ndërkohë që janë konfiskuar pesë armë zjarri.
Bandat shqiptare kanë ulur shumë çmimin me shumicë të kokainës, ndërkohë që janë duke u forcuar në aktivitetin e tregtisë së seksit dhe emigracionit të paligjshëm.”, thuhet në artikull.
Oliver Higgins, një drejtues i lartë i Agjencisë Kombëtare të Luftës Kundër Krimit, NCA, shprehet se bandat shqiptare në drejtimin e drogës janë bërë të rrezikshme dhe se operojnë në mbarë Londrën.
Dyshimet më herët kanë qenë se në Londër trafikohej droga e Lazaratit, por se duket se dyshime të tilla kanë rënë poshtë