Një prej kriminelëve më të kërkuar në Itali, Rocco Morabito u ekstradua nga Brazili.
I njohur si “mbreti i kokainës së Milanos”, ish-bosi i “Ndrangheta-s” u arrestua më 25 maj 2022 në Brazil, ku ishte fshehur bashkë me anëtarë të tjerë të bandës.
55-vjeçari ra në pranga pas një operacioni të policisë braziliane dhe asaj italiane të ndihmuar nga DEA dhe FBI.
Ai do të vuajë tanimë dënimin me 30 vite burg, pasi është shpallur fajtor për trafik narkotikësh.
Morabito kaloi vite të tëra në Amerikën e Jugut, me identitet të rremë, ku punonte me anëtarë të tjerë të organizatës kriminale kalabreze.
Ai dominoi tregun e kokainës në Milano, duke e trafikuar lëndën narkotike në qytet direkt nga Amerika e Jugut.
Nga përgjimet e policisë italiane ai dëgjohet të negociojë për importimin e më shumë se 1 toni kokainë nga Amerika e Jugut. Më pas autoritetet besojnë se u arratis në Brazil, ku jetoi me identitetin e rremë. Nga aty, ai u vendos në Uruguai, ku jetoi për 13 vite në Punta del Este.
Ai konsiderohej nga autoritetet italiane si një nga më të kërkuarit me rrezikshmëri të lartë dhe emri i tij ishte përfshirë në listën e Ministrisë së Brendshme të Italisë për operacionet e kërkimeve speciale për kapjen e të kërkuarve.