Maqedonia e Veriut ka regjistruar të premten 934 persona të infektuar me koronavirusin e ri, pesë viktima si dhe 454 të shëruar. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, shifrat i referohen testimit të 2.748 mostrave në 24 orët e fundit.
Për dallim nga dy javët e fundit, numri i viktimave është më i ulët ndërsa i të infektuar ka arritur shifrën më të lartë që nga paraqitja e koronavirusit të ri në Maqedoninë e Veriut në muajin shkurt.
Aktualisht në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë të diagnostikuar 30.488 persona, prej tyre 20.448 janë shëruar , 982 kanë vdekur ndërsa 9.058 persona janë aktiv.
Numri i personave të hospitalizuar në nivel të vendit ka arritur në afër 600, prej të cilëve rreth 150 janë të shtruar në Klinikën Infektive në Shkup.