Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International është shprehur se 208 persona kanë humbur jetën në protestat e muajit të kaluar në Iran, që pasuan rritjen e çmimeve të naftës.
“Numri i njerëzve që besohet se janë vrarë në protestat që kanë shpërthyer më 15 nëntor, është rritur në së paku 208. Shifra bazohet në raporte të besueshme që ka pranuar organizata”, tha Amnesty International.
Philip Luther, udhëheqës i organizatës për Lindjen e Mesme, tha se numri i vdekjeve është “dëshmi e vrasjeve të tmerrshme që kanë bërë forcat e sigurisë në Iran”.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të sigurojë se përgjegjësit do të japin llogari.
“Pothuajse të gjitha vdekjet kanë rezultuar nga përdorimi i armëve të zjarrit”, tha Amnesty.
Po sipas kësaj organizate, “familjet e viktimave janë kërcënuar dhe paralajmëruar të mos flasin për media, ose të mos zhvillojnë ceremoni funerali për të dashurit e tyre”.
Protestat në Iran shpërthyen më 15 nëntor pas njoftimit për rritje të çmimit të naftës deri në 200 për qind, por u shtypën shpejt nga autoritetet, të cilat gjithashtu ndërprenë internetin për gati një javë./ Burimi: REL