Refugjatët e parë sirianë kanë mbërritur në kufirin me Shqipërinë.
Mediat greke bëjnë me dije se 3 autobusë me 162 emigrantë kanë mbërritur dje rreth orës 18:00 në Konicë, 17 km larg nga kufiri shtetëror me Shqipërinë.
Një ditë më parë, këshilli i komunës së Konicës kishte vendosur t’i mirëpriste emigrantët sirianë, të cilët janë akomoduar në një qendër komunitare. Konica bëhet kështu rajoni i parë që pret emigrantët sirianë në kufi me Shqipërinë.
Autobusët me refugjatët sirianë janë mirëpritur e janë përshëndetur nga kryetari i Komunës, nga udhëheqës të tjerë lokalë, por edhe nga përfaqësues të Kryqit të Kuq. Banorët e zonës thuhet se janë përgjigjur menjëherë me ndihma me çfarë të mundeshin, përfshi këtu ushqime e veshmbathje, teksa refugjatët janë transferuar drejt qendrës komunitare të pritjes, ku do të verifikohen të dhënat e tyre.