Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndeti ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti grek si një kontribut kyç për stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin euro-atlantik të gjithë rajonit.
Në një njoftim për mediat, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e vlerëson këtë si fitore të diplomacisë, e cila vjen edhe falë kontributit të patjetërsueshëm të faktorit shqiptar në Maqedoni.
“Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht hapat e mëtejshëm proceduralë drejt zbatimit të plotë e të gjithanshëm të Marrëveshjes së Prespës”, thuhet në njoftimin për mediat.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës i arritur sot në Parlamentin grek çon drejt zgjidhjes përfundimtare të një mosmarrëveshjeje gati tridhjetë vjeçare mes dy fqinjëve tanë, duke konsoliduar edhe më tej të ardhmen euroatlantike të Evropës Juglindore.